Policia shpall konkurs për pranimin e zyrtarëve policor në veri
B. Halimi / RTKlive
Policia e Kosovës së shpejti pritet t’i plotësojë vendet e lira pas dorëheqjes së zyrtarëve policorë të komunitetit serbë në veri të vendit.
Policia tashmë e ka shpallur konkursin për pranimin e zyrtarëve policorë, derisa të drejtë kandidimi kanë pjesëtarë të të gjitha komuniteteve joshumicë (serb, boshnjak, turq, goran, romë, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas).
Në konkursin e shpallur, Policia e Kosovës, ka paraqitur edhe detajet lidhur me kushtet që duhet t’i plotësojnë kandidatët për aplikim. Ndër kushtet kryesore që aplikuesit duhet të kenë janë: të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të jenë të moshës 18 deri 30- vjeçar, të kenë të përfunduar shkollimin e mesëm dhe të mos jenë të dënuar për ndonjë vepër penale.
Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës kishin dhënë dorëheqje në fillim të muajit nëntor, pas suspendimit të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.
Shumë prej këtyre zyrtarëve ishin pranuar në polici pas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 për shuarjen e strukturave paralele.

























