Ambasada e SHBA-së e thotë qartë: Pavarësia e Kosovës është fakt
Në Fokus

Ambasada e SHBA-së e thotë qartë: Pavarësia e Kosovës është fakt

B. Halimi / RTKlive

Të jemi të qartë: Pavarësia e Kosovës është fakt. Kështu ka shkruar Ambasada Amerikane në Kosovë në profilin e saj zyrtar në Twitter, duke reaguar kësisoj ndaj lajmeve se llogaria e saj në këtë rrjet social kishte “pëlqyer” një postim të një mediumi serb që fliste për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.

“Qëllimi ynë parësor është të mbështesim Kosovën, pasi ajo zë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ne kundërshtojmë kategorikisht çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, thuhet tutje në reagimin e ambasadës amerikane.

Tutje kjo ambasadë ka sqaruar se llogaria e saj zyrtare në Twitter nuk ka "pëlqyer" qëllimisht asnjë postim në këtë rrjet social gjatë 24 orëve të fundit.

“Siç e kemi thënë edhe më herët, kur ne duam të artikulojmë një qëndrim, ne e bëjmë përmes kanaleve zyrtare, deklaratave, e jo përmes ‘pëlqimeve’ në rrjetet sociale”, ka sqaruar ambasada  e SHBA-së.

Dje presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencë për media tha se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, derisa përmendi edhe emrat e tyre e që sipas tij janë: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet.


MË SHUME NGA Në Fokus