MPJD demanton Vuçiqin: S’ka shtete që kanë tërhequr njohjen
M.Shefkiu/RTKlive
Ministra e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka demantuar presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, se disa shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nëpërmjet një komunikate për medie, Ministra e Jashtme thotë se nuk ka asnjë njoftim se ndonjë shtet ka tërhequr njohjen.
“Nuk ka asnjë njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen. Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë” thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, sipas këtij dikasteri, zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale.
“Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjellë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Ndryshe, ditë me parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference për media, deklaroi se është duke pritur nga shteti i dhjetë, që sipas tij, të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Vuçiq pretendoi se tashmë nëntë shtete i kanë tërhequr njohjet e Kosovës: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet. Por, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, janë 106 shtete që deri më tani e kanë njohur pavarësinë e shpallur më 2008.























