Gërvalla: Plagosja e dy të rinjve, krim i papranueshëm dhe i patolerueshëm
BKT
Lajme

Gërvalla: Plagosja e dy të rinjve, krim i papranueshëm dhe i patolerueshëm

B. H. / RTKlive

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, plagosjen e sotme në Shtërpcë të dy të rinjve e ka vlerësuar një krim të papranueshëm dhe të patolerueshëm.

Ajo ka thënë se përgjegjësitë e këtij krimi duhet dhe do të përballen me drejtësinë. “Plagosja e sotme në Shtërpcë e dy të rinjve, qytetarë të Republikës së Kosovës, përbën një krim të papranueshëm dhe të patolerueshëm. Përgjegjësi apo përgjegjësit e këtij krimi duhet dhe do të përballen me drejtësinë. Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke punuar intensivisht në sqarimin e rrethanave të plagosjes së dy të rinjëve në Shterpcë. Përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe të duhur, pa lënë asnjë hapësirë për dilema. Duke e dënuar ashpër këtë krim, njëkohësisht bëj thirrje për ndaljen e çdo tendence të manipulimit dhe paragjykimit të motiveve”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

“Duke iu uruar dy të rinjve shërim sa më të shpejtë dhe familjeve të tyre kurajon dhe urtësinë për ta përballuar këtë situatë të rëndë për ta, ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e individëve apo strukturave që shfrytëzojnë fatkeqësitë për të nxitur tensione pa asnjë bazë reale”, ka shtuar Gërvalla.

 

Edhe ambasadori Rohde dënon plagosjen e dy të rinjve serbë

(I plotësuar) Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ka dënuar sulmin me armë zjarri ndaj dy të rinjve serbë në afërsi të Shtërpcës.

“Dënoj sulmin ndaj dy djemve të rinj në Shtërpcë sot dhe u uroj shërim të shpejtë. Ne mirëpresim reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës”, ka shkruar Rohde.

Ndërkohë rruga për në Shtërpcë është bllokuar, pasi serbët lokalë kanë vendosur barrikadë në fshatin Gotovushe në shenjë revolte ndaj plagosjes së dy të rinjve serbë.

Policia e Kosovës lidhur me këtë rast ka arrestuar një person të dyshuar, të cilit edhe iu ka konfiskuar arma.

Presidentja Osmani për plagosjen në Shtërpcë: Akt i patolerueshëm

(I plotësuar) Plagosja e të rinjve 11 dhe 21 vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë. Kështu ka theksuar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në reagimin e saj për ngjarjen e sotme në afërsi të Shtërpcës.

“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë. Të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojnë urgjentisht e sipas ligjit”, thuhet në reagimin e presidentes Osmani.

Kurti: I dyshuari për plagosjen në Shtërpcë do të përballet me drejtësinë

(I plotësuar) Për plagosjen e dy personave në Shtërpcë ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se është i brengosur për plagosjen e dy qytetarëve, derisa theksoi se i dyshuari për këtë akt, i cili tashmë është arrestuar, do të përballet me organet e drejtësisë.

“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij, njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm.

“Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”, ka shtuar kryeministri në reagimin e tij ndaj kësaj ngjarje.


MË SHUME NGA Lajme