Plagosja në Shtërpcë, reagon BE-ja: Të hetohet ky krim i neveritshëm
Në Fokus

Plagosja në Shtërpcë, reagon BE-ja: Të hetohet ky krim i neveritshëm

N.Mekolli /RTKlive

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE-ja e dënon ashpër plagosjen që ka ndodhur në Shtërpcë të premten.

Ai, në një postim në Twitter, tha se BE-ja e dënon me vendosmëri plagosjen e dy të rinjve dhe ka kërkuar nga autoritetet e vendit të hetojnë plotësisht rastin.

 “BE-ja dënon me vendosmëri plagosjen e një fëmije dhe një të riu në Kosovë dje. Është e rëndësishme që autoritetet të hetojnë plotësisht këtë krim të neveritshëm dhe drejtësia të ushtrohet. I urojmë viktimave shërim të plotë dhe të shpejtë”, ka shkruar Stano.

Sipas njoftimit të policisë, më 6 janar ndaj dy personave, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. 

Njëri nga të plagosurit është 11-vjeç kurse tjetri 21. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka arrestuar një person dhe se është konfiskuar arma me të cilin është kryer vepra.


MË SHUME NGA Në Fokus