Këshilltari i DASH-it, Derek Chollet të mërkurën vjen në Kosovë
RTKlive
Këshilltari i DASH-it, Derek Chollet do të udhëtojë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Serbinë nga 8 deri më 13 janar.
Në njoftimin e DASH-it thuhet se Chollet më 11 janar do të udhëtojë në Shkup, ndërsa vizitën do ta vazhdojë edhe në Prishtinë.
Sipas DASH-it, ai në Kosovë pritet të takohet me zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe shoqëri civile, për të diskutuar përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar në avancimin e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe për dialogun për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.
Derek Chollet pas vizitës në Kosvë, më 12 janar do të shkojë në Serbi.
Para Prishtinës dhe Beogradit, Chollet do ta vizitojë Shkupin. Atje ai do të takohet me liderët qeveritarë për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.
Më 12 dhjetor, Chollet anuloi vizitën në disa shtete të Ballkanit dhe në Bruksel, pasi doli pozitiv me sëmundjen COVID-19.























