Gjykata vendos: Një muaj paraburgim për Azem Kurtajn
BKT
Foto: Driton Ramadani
Lajme

Gjykata vendos: Një muaj paraburgim për Azem Kurtajn

RTKlive

(E plotësuar) Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.K., shtetas i Republikës së Kosovës.

Kjo si thuhet "për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasja e rëndë në tentativë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28; përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 paragrafi 1; shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)".

"Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 6 janar 2023, në një fshatë të Komunës së Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t`i privoj nga jeta të dëmtuarit M.S. dhe S.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij dhe me të arritur në hyrje të fshatit, vëren disa qytetar në skaj të rrugës dhe me qëllim që t`i largon, i njëjti bie borisë, në pamundësi që të lëviz tutje e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty e nxjerr revolen dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasoj e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin në Graçanicëm" thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas njoftimit të kësaj gjykate thuhet se, në kohë dhe vende të përshkruar si më lartë i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armë me leje, në atë mënyrë përderisa ka qenë në veturën e tij, ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve M.S. dhe S.S., e që si pasoj e goditjeve të njëjtit pësojnë lëndime trupore, me ç` rast me rastin e kontrollit të kryer nga ana e Policisë së Kosovës, arma së bashku me dy karikator dhe 35 cipë fishekë i sekuestrohen.

 “Ekziston dyshimi i bazuar se më 6 janar 2023 në Komunën e Shtërpcës, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madhe për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij në pamundësi që të kyqet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revole shtënë pesë herë në ajër”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Avokati mbrojtës, Naim Ferati: Kurtaj veproi në vetëmbrojtje

Driton Ramadani /RTK

Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj të pandehurit Azem Kurtaj i cili akuzohet për plagosjen e dy qytetarëve në komunën e Shtërpcës.

Avokati mbrojtës, Naim Ferati , ka deklaruar se klienti i tij ka vepruar në vetëmbrojtje.

Pas pak pritet që Gjykata të marr vendim lidhur me rastin. Prokuroria ka kërkuar paraburgim prej 1 muajsh.

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 6 janar, ndaj dy personave, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt.

Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka njoftuar, më 6 janarse, se kanë "arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçar. I dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt".

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm


MË SHUME NGA Lajme