Gjatë vitit 2022 janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje
Foto arkiv/ RTKlive
Në Fokus

Gjatë vitit 2022 janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje

Mejreme Tahirukaj/ Radio Kosova

Policia e Kosovës ka sqaruar se në 1 mijë e 897 raste viktimat kanë qenë gra ndërsa në 433 raste, viktima ishin burrat. Ndërkaq Avokati i Popullit Naim Çelaj, për Radio Kosovën thotë se më shqetësues mbetet vlerësimi i rrezikut dhe koordinimi i autoriteteve reaguese.

Dhuna në familje është një dukuri e cila është përhapur mjaft në Kosovë. Ndërkaq nga kjo dukuri më të prekurat janë vajzat dhe gratë.

Në deklaratat e saj, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se luftimi i dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave është një prej zotimeve në programin e Qeverisë së Kosovës. Haxhiu në vazhdimësi ka bërë thirrje për raportim të dhunës në familje.

“Angazhimi ynë duhet të jetë edhe më i fortë edhe më i fuqishëm, në mënyrë që djemtë e burrat ta respektojnë jetën dhe dinjitetin e grave në Kosovë”, tha ajo.

Ndërkaq Avokati i Popullit, Naim Çelaj, për Radio Kosovën tha se Policia duhet të jetë e njoftuar për veprimet e Zyrës për mbrojtjen e viktimave. Qendra për Punë Sociale, Prokuroria dhe gjykatat sipas tij, duhet të jenë hallka të koordinuara me qëllim të reagimit si trup i vetëm. Ai përmendi dy raste në të cilat Avokati i Popullit ka dalë me qëndrime.

“Te rasti i vrasjes në Emshir të ndjerës Sopa nga bashkëshorti i saj, i cili ka qenë recidivist, ka mjaftuar një deklaratë e viktimës se  ndoshta ai nuk e bënë më”, tha ai.

Tutje Çelaj shtoi se shteti ka përgjegjësi për t’i mbrojtur viktimat e dhunës në familje, duk përjashtuar zakonet nga e kaluara kur përgjegjësinë e kanë marrë personat e paautorizuar dhe familja. Ai bëri të ditur gjithashtu se Institucioni i Avokatit të Popullit ka hartuar një listë rekomandimesh për autoritetet e vendit, e që presin të kenë reagim.


MË SHUME NGA Në Fokus