LDK kërkon llogari për transaksionet e Berishajt e mungesën e pasaportave
Jeton Musliu/RTKlive
Lidhja Demokratike e Kosovës shprehu sot shqetësimin në lidhje me raportimet e mediave sllovene se ambasadori kosovar në Kroaci, Martin Berishaj, dyshohet sërish për një aferë milionëshe.
Në emër të kësaj partie opozitare, shqetësimet i shprehu anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, i cili doli në konferencë për media.
Ai tha se mediat sllovene kanë botuar një hulumtim, ku sipas tij, zbardhen lidhjet e ambasadorit Martin Berishaj, me kompaninë sllovene GEN.
Duke cituar mediat sllovene, Tahiri tha se dyshohet se Martin Berishaj, është paguar nga GEN-i, teksa raportohet edhe për kompaninë e Berishajt që mban emrin MB Consulting.
“Dhe ku aty madje theksohet se ambasadori kosovar ka tërhequr para të gatshme nga llogaritë bankare të kompanisë së tij, mbi 600 mijë euro në vitin 2019-2020”, u shpreh Tahiri .
Sipas tij, ky skandal vazhdon thellohet gjithnjë e më tepër.
“Hulumtimi i fundit flet për 100 milionë euro, para të cilat janë menaxhuar nga kompania GEN e me të cilat dyshohet se është financuar fushata edhe e kryeministrit Kurti”, deklaroi Tahiri.
Teksa iu referua mediave sllovene, ai tha se ky financim është bërë përmes filialit të GEN-it në Tiranë ku janë transferuar 14 milionë euro.
Më tej Tahiri në këtë konferencë për media u shpreh se pjesa më shqetësuese është pikërisht ndërlidhja me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. “Kjo çështje duhet adresuar menjëherë”, tha ai.
“LDK-ja kërkon që këto dyshime shqetësuese që rëndojnë mbi imazhin e kryeministrit të Kosovës të adresohen menjëherë nga Qeveria Kurti se a janë të vërteta deklarimet e hulumtimet e gazetës sllovene”.
Ndërkohë, kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, në këtë konferencë për media, shprehu shqetësimin e kësaj partie për mungesën e materialit për prodhimin e pasaportave.
Ait ha se po bëhen 5 muaj që qytetarët s’kanë mundësi të nxjerrin pasaporta të reja dhe as të aplikojnë për to.
“Mungesa e aftësisë për planifikim të duhur ka bërë që këto materiale të mungojnë për muaj të tërë”, tha ai.
Sipas tij, për shkak të mungesës së pasaportave, mërgimtarëve po u rrezikohet puna dhe qëndrimi në vendet ku jetojnë.
“Pra, kemi të bëjmë me një dëshmi për paaftësinë e këtij pushteti për të qeverisur në të mirë të qytetarëve”.























