Abdixhiku: Enver Maloku ishte bartës i dritares informuese për liri
BKT
Foto: Lumir Abdixhiku/Facebook
Lajme

Abdixhiku: Enver Maloku ishte bartës i dritares informuese për liri

M.Shefkiu/RTKLive

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë ka nderuar ish gazetarin dhe veprimtarin Enver Malokun, në 24 vjetorin e vrasjes së tij. Lideri i LDK-së tha se Enveri ishte bartës i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci.

“Ai ishte një gazetar vetëmohues, një ëndërrimtar i lirisë, një intelektual i pashoq, një adhurues i shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë. Ishte një patriot model i orëve më të rënda të Kosovës. Mbi të gjitha, ishte bartës i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci”, ka shkruar Abdixhiku.

Në Bregun e Diellit, sipas tij, pranë banesës së tij, ai u qëllua në mbrëmjen e 11 janarit të vitit të lirisë.

“Rrugëtimi i tij drejt lirisë u ndërpre në gjysmë, por ëndrra e nisur nga ai vazhdon të mbetet udhërrëfim për ne”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ndryshe, Enver Maloku u lind në fshatin Bradash të komunës së Podujevës më 2 shkurt 1954, ndërsa u vra në Prishtinë më 11 janar 1999.

Nga viti 1979 ka punuar në Televizionin e Prishtinës, në programin e kulturës deri në periudhën kur pushtuesi serb e mbylli këtë medium. Nga vitit 1993 ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, e cila nga themelimi më 1991, kreu punën e agjencisë kombëtare të lajmeve.

Më 4 prill 2016, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhrin "Hero i Kosovës", për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. E më herët presidenti Ibrahim Rugova për kontributin e tij në shtetndërtimin e Kosovës, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhrin "Medalja e Artë e Pavarësisë". Ndërsa presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani e ka dekoruar Enver Malokun me Medaljen "Urdhri i Artë i Shqiponjës".

Mund të jetë një imazh i 11 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme


MË SHUME NGA Lajme