“Flaka e janarit”, historiku i saj në Anamoravë
Kulturë

“Flaka e janarit”, historiku i saj në Anamoravë

Sh.Gashi

Me emërtimin e saj metaforik “Flaka e Janarit” ka nisë rrugëtimin e saj në shënimin e atëhershëm të dhjetëvjetorit të vrasjes të atdhetarëve, Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës e në tetë vjetorin e vrasjes së Rexhep Malës e Nuhi Berishës duke u bërë një manifestim kulturor nderimi dhe kujtimi për të gjithë ata që kanë bërë sakrificën përfundimtare në shërbim të vendit të tyre.

Edicioni i parë i “Flakës së Janarit” u nis më 18 Janar 1992 në trekëndëshin Bresalc-Gjilan-Përlepnicë, e në nderim të kësaj, aktivitetet e  ditës së parë të “Flakës...” së këtij viti kanë vazhduar në Bresalc, “Te Mejtepi”, dhe në Përlepnicë në “Shtëpinë e Kulturës”, ku në kujtim të nismës së këtij manifestimi kulturor, u shfaqën: dokumentare, u ekspozuan fotografi dokumentuese dhe u dhanë programe artistike.

Në Bresalc, i pari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni tha se ndodhemi “Në Mejtepin” ku ka filluar manifestimi mbarëkombëtarë “Flaka e Janarit”, ndërkohë që përveç Bresalcit, në kuadër të këtij edicioni  të 32-të, do të shkojmë edhe në Përlepnicë  për të kujtuar dhe përkujtuar edhe një herë fillimin e manifestimit mbarëkombëtar të “Flakës...”.

“Unë besoj se është tepër e rëndësishme që përveç ruajtjes së traditës së manifestimit “Flaka e Janarit”, t’i kthehemi edhe bazës edhe arsyes së organizimit të këtij manifestimi mbarëkombëtarë,  ku përveç përkujtimit të atyre që kanë rënë edhe atyre që janë angazhuar për lirinë tonë, ne po kthehemi edhe tek historia që ta transmetojmë te brezat që vijnë pas nesh”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ai shtoi se manifestimi i këtij viti i “Flakës së Janarit”, ka edhe risi të tjera, përveç kthimit në gjenezën e organizimit,  dhe në këtë formë, edhe me elemente të reja, me rikujtim dhe ruajtje të bazës së organizimit, po vazhdojmë traditën e organizimit të “Flakës...”.

Ndërsa, njëri ndër themeltarët e këtij Manifestimi, Shemsi Syla, ka folur për organizimin e këtij manifestimi kulturor, asokohe, duke sjellë në kujtim historikun e manifestimit të “Flakës...”, dhe ka vlerësuar kreun e komunës së Gjilanit që ka ndërmarrë këtë nismë për ta rikthyer në kujtesën tonë, një nismë shumë simbolike, por edhe tejet të rëndësishme të përkujtimit të heronjve dhe dëshmorëve të rënë, që ishin bartës të lëvizjes kombëtare për çlirim.

Syla ka thënë se ky ambient sado i vogël u bë vatër për të përkujtuar, përmes manifestimit që mori edhe emrin “Flaka e Janarit”, përherë rënien sublime të heronjve të kombit.

Po ashtu në këtë ambient u shfaqen pjesë të dokumentarit për “Flakën...” e asaj kohe, një ekspozitë me fotografi të aktiviteteve të  “Flakës...”, por edhe një program artistik nga nxënësit, e një gjë e tillë, me një agjendë të njëjtë vazhdoi edhe në Përlepnicë të Gjilanit.

Në Përlepnicë, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina - Bunjaku ka thënë se Manifestimi “Flaka e Janarit” mori identitet në Gjilan, por edhe i dha identitet Gjilanit.

Ajo tha se “Flaka e Janarit”, filloi si manifestim i kujtesës historike mbi të kaluarën tonë të largët e të afërt, si vlerësim mbi Janarin e Skënderbeut, Janarin e përflakur të vëllezërve Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala  e Nuhi Berisha, si dhe vargun e pafund të përpjekjeve, heroizmave e sakrificave  për liri.

“Për pak kohë, Gjilanit do të jetë kryeqytet i të gjithë shqiptarëve, respektivisht  i artit gjithëkombëtar”, ka thënë ndër tjerash, nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku.

Ndërsa, Hydajet Hyseni, njëri ndër themeluesit e këtij Manifestimi, ka thënë se sot na ka bashkuar manifestimi ‘Flaka e Janarit”, që është “Flakë” e dëshmorëve që kanë rënë në janar.

Ai tha se Janari është acar që ngrinë, por që di të përçojë e të jep flakë dhe se dëshmorët tanë ishin vet flakë, ishin vet zjarr, dhe ajo që mund të thuhet simbolikisht, është misioni i tyre për ta ruajtur Flakën e lirisë, për t’ua bartur brezave këtë flakë lirie.

“Dëshmorët e lirisë e merrnin flakën duke u sakrifikuar, për t’ua dhënë brezave që vijnë. Ata edhe ishin flaka që ndizet nga prushi dhe kthehet në dritë, kthehet në flakë”, ka thënë Hyseni.

Po ashtu njëri ndër themeltarët e këtij Manifestimi, Bujar Nevzati ka evokuar kujtime nga organizimi i këtij manifestimi ndër vite, duke i vlerësuar të gjithë ata që kanë kontribuar në themelim, por edhe në organizim të “Flakës...”, ndër vite.

Nevzati tha se “Flakën e Janarit “, e themeluan si një manifestim kulturor, por ajo me potencialin e saj e përhapi edhe idenë e çlirimit  të Kosovës, gjë që edhe u bë.

Nevzati shtoi se, edhe pas luftës, për më se dy dekada, kjo “Flakë...”  vazhdoi të mbetet e ndezur duke jetuar në të gjitha trojet shqiptare, duke i falur Gjilanit dhe Kosovës, një muaj aktivitet kulturor, në nderim të të rënëve për liri.

Ndryshe, aktivitetet e “Flakës...”, vazhdojnë sot me muzikë për fëmijë, ndezjen e Flakadanit të Flakës dhe muzikës për të rinj.


MË SHUME NGA Kulturë