Koordinim i plotë SHBA-BE për dialogun Kosovë-Serbi |Video
J.Musliu/RTKlive
SHBA dhe BE tanimë kanë koordinim të plotë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Kështu deklaroi gjatë raportimit të saj, korrespodentja e RTK-së nga Brukseli, Gjeraqina Tuhina.
Ajo tha se secila vizitë e zyrtarëve ndërkombëtarë në Prishtinë e Beograd, e sidomos nga Washingtoni e Brukseli, janë intensfikim i procesit të dialogut.
“Sa ka suskses, është pikëpyetje duke marrë parsyshë edhe vitet e kaluara”, deklaroi Tuhina, duke komentuar vizitën e sotme në Kosovë të Këshilltarit të Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Por Tuhina rikujtoi se duhet pasur parasyshë se që nga instalimi i administratës së presidentit Joe Biden, ka koordinim të plotë dhe bashkëpunim të plotë mes SHBA e BE-së.
“Ka koordinim të plotë tani për dialogun, krahasuar me administratën e mëparshme amerikane”, tha Tuhina.
Sipas saj, në këtë drejtim, edhe vizita e sotme e Derek Chollet në Prishtinë e nesër në Beograd, është nënvizim i domosdoshmërisë që palët t’i kthehen dialogut në Bruksel.
“Kjo në mënyrë që siç quhen, ‘të gjitha çështjet e hapura’ të zgjidhen në kuadër të dialogut dhe sipas mundësisë të shmangen tesionet”.
Duke folur për mundësinë e një takimi mes Kryeministrit Albin kurti të Kosovës dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq të Serbisë, korrespodentja e RTK-së nga Brukseli, rikujton se në kryeqytetin e BE-së, gjithmonë thuhet se takimi radhës duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Lajçak madje pati deklaruar se në secilin muaj do të realizojë takim të nivelit të lartë, por ja që në vitin 2021 ishte vetëm një takim në verë, në vitin 2022 kishte vetëm dy takime e secili takim është përshkruar me tensione të jashtëzakonshme”, tha Tuhina, duke rikujtuar se ato nuk kanë reflektuar pozitivisht në teren.
“Është e vërtetë se në BE e thonë së paku në mënyrë joformale se dialogu tani është shumë më i vështirë që nga momenti kur Albin Kurti e udhëheqë dialogun në emër të Kosovës”, tha Tuhina, duke shtuar se –“se çka nënkupton pse është më i vështirë apo më parë ishte më e lehtë, kjo nuk është bërë me dije”.
Krejt kjo, sipas gazetares së RTK-së, marrë parasyshë se procesi i dialogut nuk është transparent dhe mbahet kryesisht i mbyllur.























