Chollet: Partneriteti SHBA-Kosovë është i palëkundur
Jeton Musliu/RTKlive
“Partneriteti i SHBA-së me Kosovën është i palëkundur”. Kështu deklaroi në fund të takimeve në Prishtinë, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan i Shtetit, Derek Chollet.
Me një deklarim në llogarinë e tij në Twitter, e duke postuar disa fotografi nga takimet me zyrtarët e lartë të shtetit dhe partive politike në Kosovë, Chollet tha se-“është mirë të takohet me presidenten Vjosa Osmani”.
“Partneriteti ynë SHBA-Kosovë është i palëkundur”, shkroi ai. “Ne e lavdërojmë Kosovën për solidaritetin me Ukrainën në miratimin e sanksioneve, mbështetjen e saj ndaj refugjatëve dhe gazetarëve si dhe dënimin e luftës së Putinit”, deklaroi Chollet.
“Mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e të evakuuarve dhe refugjatëve afganë”.
Në lidhje me këtë vizitë, u deklarua edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Duke ripostuar këtë deklarim,ai shtoi gjithashtu se -“marrëdhëniet mes dy vendeve janë të forta”.
Hovenier tha se Chollet u angazhua me të gjithë liderët, përfaqësuesit e qeverisë, shoqërisë civile e gazetarët.
Chollet dje vizitën në Kosovë e nisi me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, e partive politike në vend.
Të mërkurën,Chollet pati edhe një takim me gazetarë në Prishtinë.
“Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin nga "Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë".
Kështu tha ai më 11 dhjetor. "Ne besojmë se Asociacioni është një çështje urgjente, është një çështje urgjente në agjendën e dialogut, ka marrë një rëndësi edhe më të madhe pas ngjarjeve të fundit në veri", tha Chollet.
Ai shtoi se SHBA-ja nuk mbështet diçka që i ngjan Republika Srpskës.
"Ne nuk po kërkojmë nga Kosova të mbështesë asnjë marrëveshje që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015".
Gjatë ditës së sotme (e enjte) ai do të vizitojë edhe Serbinë ku do të ketë takime me zyrtarët e shtetit fqinj.























