Mehaj: Komandot tona stërviten me forcat partnere në kushte të dimrit
Fadil Sertolli / RTKlive
Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneritetit me forcat turke, një kontingjent i FSK-së së bashku me kolegët e forcave turke dhe forcave tjera të tetë vendeve partnere është duke marrë pjesë në stërvitjen fushore “Winter Exercise’23”, që mbahet në Kars të Turqisë.
“Komandot tona stërviten në dëborë dhe kushte të vështira dimri së bashku me forcat partnere. Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneritetit me forcat turke, një kontingjent i FSK-së së bashku me kolegët e forcave turke dhe forcave tjera të 8 vendeve partnere është duke marrë pjesë në stërvitjen fushore “Winter Exercise’23”, që mbahet në Kars të Turqisë”, tha Mehaj.
Ministri tutje tha se FSK-ja është duke marrë pjesë me një kontingjent të përbërë me kapacitete të këmbësorisë së mekanizuar, mortajave, kërkim-shpëtimit dhe oficerë stafi.
“Qëllimet e stërvitjes përfshijnë sigurimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në operacionin e kombinuar, testimin e aftësive luftarake të trupave, rritjen e sinkronizimit të zjarrit dhe manovrimit, trajnimin e trupave në tema kyçe si: dislokimi, shërbimi i ushqimit, veshmbathja, furnizimi dhe aktivitetet e mirëmbajtjes, mbijetesën, si dhe funksionimin e sistemit të komandës dhe kontrollit në dëborë dhe kushte të vështira dimri”, tha Mehaj.























