Rode: Koha e fundit që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të zbatohen
Afet Bela/ RTKlive
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rode, tha se pajtohet plotësisht me këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Cholet dhe tha se është koha e fundit që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.
Diplomati gjerman, tha se tërheqja e serbëve nga institucionet nuk është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.
“Plotësisht dakord me këshilltarin e DASH-it, Chollet, i cili tha se është koha e fundit që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të zbatohen me shpejtësi, duke përfshirë krijimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Një propozim i Kosovës ende nuk është aty”, ka shkruar ai në Twitter.
Sipas tij tërheqja e serbëve nga institucionet nuk është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit. “Kthimi i menjëhershëm është i nevojshëm dhe duhet të lehtësohet nga të gjithë. Dua të nënvizoj se BE/SHBA janë plotësisht në linjë këtu”, tha ai.
























