Abdixhiku: Masakra e Reçakut, më e rënda e popullit të Kosovës
M.Sh/RTKlive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, i shoqëruar me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe dhe nderuan jetën dhe veprën e të rënëve te Kompleksi Memorial në Reçak në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut. Ai tha se kjo ngjarje është ndër aktet më të rënda, më të dhimbshme dhe më tronditëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.
“24 vjet nga Masakra e Reçakut, ditës kur 45 civil shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e të moshuar, u vranë e u masakruan nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë. Aq tronditës ishte ky akt, krim kundër njerëzimit do ta quante ambasadori Walker atëherë, sa që i njëjti u bë pikë kthese e vëmendjes së botës demokratike ndaj Kosovës dhe angazhimit tonë për jetë të lirë”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, derisa ka kaluar gati një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjen afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve.
“Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri”, ka deklaruar kryetari i LDK-së.























