Kurti përkujton Oliver Ivanoviqin në 5 vjetorin e vrasjes|Video
Fadil Sertolli / RTKlive
Në ditën e vdekjes së Oliver Ivanoviqit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti me anë të një video e ka përkujtuar atë, duke thënë se mendimet dhe ngushëllimet e tij janë me familjen dhe miqtë e Ivanoviqi.
Përmes një njoftimi nga Qeveria e Kosovës, bëhet e ditur se Kryeministri Kurti ka thënë se Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij.
“Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, ka thënë Kurti në përkujtimin e tij.
Pesë vjet më parë, sipas Kurtit, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës.
“Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij”, tha Kurti.
Ai tha se vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë. Ky krim, sipas tij, vrau jo vetëm Oliver Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët.
“ Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit", tha Kurti.























