Kosova në kalendarin e festivaleve botërore të vallëzimit
Kulturë

Kosova në kalendarin e festivaleve botërore të vallëzimit

Lumira Kelmendi/RTK

Kosova tashmë figuron në kalendarin e festivaleve botërore të vallëzimit, krahas shteteve të ndryshme që nga Amerika Latine, Afrika, Ballkani e Evropa.

Ky sukses erdhi pas mbajtjes së edicionit të parë të festivalit të vallëzimit “New Born” në Prishtinë, festival ky që tashmë është licensuar edhe zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare e Vallëzimit FIDAF.

Themeluesja e Fidaf Kosova Zymrije Grajçevci, ka treguar për emisionin Art Tema se është shumë e lumtur që Kosova tashmë gjendet në listë së bashku me festivale të njohura botërore që kanë përvojë mbi 20 vjeçare dhe që janë shpërblyer shumë herë.

 “Festivali i Kosovës me vetëm një edicion të mbajtjes, ka arritur të futet në kalendarin e festivaleve botërore, dhe kjo është një përgjegjësi e madhe që Federata ka besuar tek ne. Por e rëndësishme është se e kanë parë për së afërmi se çfarë kemi ofruar, sepse në festival kanë qenë prezent udhëheqësit më të lartë të Federatës Botërore të Vallëzimit”, shprehet Grajçevci.

FIDAF Kosova ka për qëllim promovimin e shtetit të Kosovës përmes artit, kulturës dhe vallëzimit në mënyrë që vendi ynë të njihet nëpër botë për vlerat e pasura kulturore. Përderisa,festivali “New Born” që është pjesë e FIDAF Kosova, ka për qëllim të sjellë grupe të vallëzimit nga shtetet e ndryshme e të cilët përmes llojllojshmërisë së veshjeve, muzikës, instrumenteve shpalosin kulturën dhe traditën e vendeve prej nga vijnë.

“Këtë vit Festivali New Born do të mbahet në muajin gusht dhe do të zgjas 7 ditë, ku pjesëmarrës do të jene 10 shtete”, është shprehur Zymrije Grajçevci.

FIDAF Kosova u licensua në Federatën Ndërkombëtare të Vallëzimit me përfaqësuesen zyrtare Zymrije Grajqevci në Konferencën e mbajtur në vitin 2014, me seli në Seul të Koresë Jugore.

Poashtu, Kosova është anëtarësuar edhe në Organizatën Ndërkombëtare të Vallëzimit në vitin 2021.Vitin e kaluar, për realizimin e festivalit “New Born” përkrahja e institucioneve ka qenë modeste, përderisa këtë vit pritet që përkrahja të jetë më e madhe, sepse festivali tashmë ka dëshmuar suksesin dhe profesionalizmin, duke bërë që Kosova të jetë pjesë e FIDAF (Federata Botërore e Vallëzimit) krahas shteteve të tjera” - ka përfunduar Grajçevci.

FIDAF Kosova është e përkushtuar që të loboj për integritetin e të rinjve në skenën globale sa i përket vallëzimit dhe artit në përgjithësi, në mënyrë që të ndërthuren kulturat e ndryshme të vendeve të botës me kulturën dhe artin e vendit tonë.

 Më shumë rreth kësaj ngjarje mund të mësoni  në emisionin  “Art Tema” që  do të  transmetohet  të shtunën në orën 22:30 në RTK.


MË SHUME NGA Kulturë