Në 30 klinikat e QKUK-së punojnë vetëm 14 psikologë|Video
Foto/ RTK
Në Fokus

Në 30 klinikat e QKUK-së punojnë vetëm 14 psikologë|Video

Besjana Mulaj/ RTK

Përveç kujdesit shëndetësor fizik, pacientët kanë shumë nevojë edhe për trajtim psiqik. Por Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka vetëm14 psikologë me të cilët nuk arrin të mbulohet as gjysma e klinikave. Psikologët klinikë thonë se diagnozat mund të jenë të njëjta për pacientët, por përjetimi është ndryshe.

Për rreth 30 klinika ku fluksi i pacientëve në shumicën prej tyre është i lartë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka vetëm 14 psikologë.

7 prej tyre janë në klinikën e psikiatrisë, dy në klinikën e Neurologjisë, dy në institutin e Forenzikës, klinika e Gjinekologjisë dhe Pediatrisë e kanë vetëm nga një psikolog, e po ashtu edhe Instituti Onkologjik.

Por se sa vizita psikologjike kryhen brenda ditës, drejtoria SHSKUK-së nuk ka dhënë përgjigje. Por specialisti i psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë Imri Zabeli, thotë për RTK se ky numër është i vogël për një qendër të kujdesit terciar.

“Duke e marrë parasysh se kemi klinika të cilat janë të mëdha dhe fluksi i pacientëve është i lartë dhe ka klinika që nuk kanë fare shërbime psikologjike dhe për këtë përgjegjësi më shumë duhet të ketë shërbimi psikologjik në QKUK”, tha ai.

Ndërsa kryetari i shoqatës së pacientëve, Besim Kodra, thotë për RTK se në sistemin tonë shëndetësor funksion vetëm kujdesi i shëndetit fizik dhe jo ai psikik.

“Ne ende e kemi një shëndetësi që fokusohet vetëm në sëmundje, sëmundja na tregon që me shëndetin diçka nuk po shkon mirë por ne duhet ta kemi fokusin në pacient për t'i parë problemet psiqike, kjo është metoda që e praktikojnë edhe shtete e zhvilluara”, tha ai.

Në vitin 2017 me financim të Ministrisë së Shëndetësisë, e kanë përfunduar specializimin 20 psikologë në fushën e psikologjisë klinike dhe psikoterapisë, por vetëm tre prej tyre janë punësuar në QKUK.

 


MË SHUME NGA Në Fokus