Rrëshqitje të dheut, mbyllen disa rrugë në Dukagjin|Video
Islam Haxhiu/ RTK
Rrëshqitjet e mëdha të dheut, pas shiut të pandërprerë për dy ditë me radhë, kanë bërë që rruga Junik-Gjocaj-Gjeravicë të jetë e paqarkullueshme. Por, reshjet e shiut që nga dita e djeshme kanë krijuar vështirësi të mëdha në qarkullim në shumë fshatra të komunës së Deçanit, përfshirë këtu edhe disa lagje të qytetit.
Rrëshqitjet e mëdha të dheut, pas shiut të pandërprerë që dy ditë me radhë, kanë bërë që rruga Junik-Gjocaj-Gjeravicë të jetë e paqarkullueshme.
Për këtë arsye që nga mbrëmja e kaluar zyrtarët e Komunës së Junikut, të cilët thonë se dëmet janë shumë të mëdha, bashkë me ekipet emergjente janë në terren në përpjekje për ta zhbllokuar rrugën.
Reshjet e shiut po ashtu që nga dita e djeshme kanë krijuar vështirësi të mëdha në qarkullim në shumë fshatra të komunës së Deçanit, përfshirë këtu edhe disa lagje të qytetit. Banorët thonë se sa herë që ka reshje të dendura shiu, rrugët bëhen të pakalueshme.
Ndërsa zyrtarët komunalë në Deçan thonë se ekipet vazhdimisht janë në terren dhe po bëjnë të pamundurën për zhbllokimin e rrugëve dhe mbajtjen e gjendjes nën kontroll.
Ndryshe, edhe sipas meteorologëve, reshjet pritet të vazhdojnë edhe gjatë 24 orëve të ardhshme, kështu që mundësitë për vërshime edhe në pjesë tjera të Dukagjinit janë të mëdha.























