Kuvendi voton KUNDËR tërheqjes së parave nga Trusti Pensional
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Kuvendi voton KUNDËR tërheqjes së parave nga Trusti Pensional

J.Musliu/RTKlive

(Plotësuar ora 17:50) Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër për tërheqjen nga qytetarët të 30 për qind të parave nga Trusti Pensional.

Në sallë ishin të pranishëm 101 deputetë, prej të cilëve 97 kanë votuar. Nga ta, 42 kanë votuar pro, 55 kanë votuar kundër kurse abstenim nuk pati.

Me këtë rast, qytetarët e Kosovës nuk mund të tërheqin nga 30 % të parave nga kursimet pensionale.

Nëse do të votohej për, kjo do të ishte hera e dytë që qytetarët do të mund të bënin tërheqjen e një përqindjeje të parave nga kursimet e tyre në Trustin Pensional. Tërheqja e parë është bërë në kohën e pandemisë.

Pro ishin deputetët e opozitës kurse kundër ata të pozitës.

Kuvendi shkon në pauzë deri në ora 15:30|Video

A.B / RTKlive

(E plotësuar, ora 14:08)  Pas një debati disa orësh, për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, deputetët e Kuvendit kanë shkuar në pushim deri në ora 15:30.

Gjatë debatit për këtë projektligj i cili është sjellë si nismë qytetarëve përmes nënshkrimeve, nuk ka marrë mbështetje nga pozita, por ka marrë mbështetje nga partitë opozitare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se kanë një takim me grupet parlamentare dhe për këtë duhet të shkojnë në pushim deri në orën 15:30.

 

Live|Deputetët shqyrtojnë projektligjin për fondet pensionale të Kosovës

( E plotësuar) Kuvendi i Kosovës, ka filluar shqyrtimin e parë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Deputeti Armend Muja, tha se VV është kundër këtij projektligji. “Ky propozim është dizajnuar që shtresës së mesme dhe të lartë të u lejojë të shpenzojë më shumë”, tha ai.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se kjo është nismë qytetare dhe mbështetet nga gjendja e tanishme.

Kurse deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se ky ligj i duhet Kosovës. Sipas tij nuk ka pasur përkrahje nga qeveria e Kosovës, për qytetarët e Kosovës që po ndeshen me krizë.

Ndërkaq deputeti Besnik Tahiri, në emër të AAK-së, tha se sot po trajtohet një nismë të qytetarëve të Kosovës e cila është mbi interesin partiak.

Projektligji për Trustin sot në rend dite në Kuvendin e Kosovës

Sot Kuvendi i Kosovës, do të mbajë seancë plenare. Në rend dite janë disa pika, ku do të bëhet edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021 dhe shqyrtimi i Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Ndryshe Projektligji për Trustin ka kohë që është temë debati në Kosovë.


MË SHUME NGA Lajme