Policia heton informacionet për planifikim atentatesh |Video
Donika Sherifi/RTK
Një plan për atentat të mundshëm kundër liderëve të PDK-së e LDK-së dhe disa deputetëve të këtyre dy subjekteve politike u raportua të mërkurën vonë.
Ndërkohë, Policia ka konfirmuar se i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me kanosjen në fjalë.
Sipas Policisë, të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe bashkërendim me organet e tjera të drejtësisë.
Një plan për atentat të mundshëm kundër zyrtarëve të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u raportua të mërkurën mbrëma.
Kështu njoftoi Policia. Përveç kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, raportohet se kërcënimet ishin drejtuar edhe ndaj ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe deputetëve Arben Gashi e Armend Zemaj.
Këtë çështje, zyrtarët e LDK-së ua kanë lënë në duar organeve të drejtësisë së vendit.
“Besojmë në punën e organeve të drejtësisë së Kosovës dhe hetuesisë, janë Policia dhe organet e sigurisë që vlerësojnë një gjë të tillë, jo partitë politike, erdha siç kam ardhur çdo ditë. Vazhdojmë punën tonë si gjithmonë”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, deklaron se gjithçka është në dorën e organeve të rendit të Republikës së Kosovës.
“Është vlerësim i tyre, është gjykim i tyre, ne bëjmë punën tonë, jemi përfaqësues të qytetarëve, vazhdojmë me punën në Kuvend dhe sigurisht çdo gjë qartësohet nga policia dhe hetuesia e jonë”, thotë Zemaj.
Përveç LDK-së, atentat ishte planifikuar edhe ndaj të parit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe deputetes Ganimete Musliu.
Ata thonë se kanë besim tek organet e rendit, duke shtuar se janë duke e bërë punën në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Mund t’iu konfirmoj që jemi kontaktuar prej Policisë së Kosovës, na kanë njoftuar që në të njëjtin rast tashmë të bërë publik me deputetë të LDK-së, kanë qenë të përfshirë edhe emri im dhe emri i deputetes Musliu”, thotë Krasniqi.
“Jemi njoftuar për masat që ata janë duke i ndërmarrë për sa i përket çështjeje dhe do të jemi në komunikim të mëtejmë, nuk ka nevojë për të frikësohemi, jemi në shtetin tonë, jemi në vendin tonë, me institucionet tona të sigurisë e vazhdojmë punën si deri më tash”.
Gatishmëri për bashkëpunim me drejtësinë ka shprehur edhe deputetja Musliu.
“Nuk kam çka i shtoj asgjë më shumë deklaratës së kryetarit, nuk ndjehem e frikësuar, kam besim të plotë në organet e rendit të vendit tim, do të jem në bashkëpunim për çdo informacion që ata kërkojnë nga ana ime si deputete”, tha deputetja Musliu.
Ndërkohë, Policia ka konfirmuar se i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me kanosjen në fjalë. Sipas Policisë, të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e tjera të drejtësisë.























