Reshjet e shiut kanë shkaktuar vërshime të mëdha në disa komuna të vendit
Në Fokus

Reshjet e shiut kanë shkaktuar vërshime të mëdha në disa komuna të vendit

RTKlive

Shiu që po bie pa ndalë, ka shkaktuar vërshime të mëdha në shumë komuna të vendit.

Në Skenderaj e Mitrovicë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, duke shkaktuar edhe mbylljen e shkollave. Uji ka marrë shumëçka përpara, duke lënë familje pa kulm mbi kokë e duke shkatërruar biznese e prona private.

Gjendje jo e mirë nga reshjet e vazhdueshme nuk është as në Klinë, Dukagjin e rajonin e Prizrenit. Ndërkohë Qeveria e Kosovës, nëpërmjet një njoftimi, dje ka bërë të ditur se është mobilizuar me të gjitha kapacitetet e saj, me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me Policinë e Kosovës dhe të gjitha njësitë e zjarrfikësve, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë.

Në Skenderaj e Klinë sot nuk do të mbahet mësimi për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut dhe vërshimet që përfshinë disa lokalitetet të këtyre komunave. Kështu kanë njoftuar përfaqësues të këtyre dy komunave.

Forca e Sigurisë së Kosovës me ekipet e saj të Kërkim Shpëtimit në ujëra, pas situatës së rënduar të përmbytjeve në vendin tonë, ka ngritur gatishmërinë operacionale.

FSK-ja ka njoftuar sot se ka marrë pjesë në operacionet e shpëtimit të jetëve të qytetarëve në zonat e prekura Skenderaj, Istog, Klinë dhe Mitrovicë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar, mbrëmë, se si rezultat i reshjeve të shtuara, në ujë është ngritur vlera e turbullirës dhe si pasojë ka vështirësi në trajtim të ujit në shumë komuna të Kosovës.

Mes tjerash bëhet e ditur se në mostrat për ekzaminim bakteriologjik deri më tani rezultojnë brenda standardeve të parapara.

Instituti rekomandon konsumatorët që uji para përdorimit të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse.

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe bazen uji


MË SHUME NGA Në Fokus