Kryeministria tregon çfarë u tha kryeministri diplomatëve perëndimorë|Foto
BKT
Foto: Zyra për Media e Kryeministrit
Lajme

Kryeministria tregon çfarë u tha kryeministri diplomatëve perëndimorë|Foto

Jeton Musliu/RTKlive

Pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me diplomatët evropian dhe amerikan,Zyra për media e Kryeministrisë ka lëshuar një komunikatë për media.

Aty shkruan se kryeministri  Albin Kurti,  i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi u takua sot me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron,  Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë,  Giorgia Meloni, Francesco Maria Talo dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Kjo është hera e dytë që kryeministri Kurti priti në takim këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri, Plötner dhe Bonne, pas takimit të parë më 9 shtator 2022”, shkruan në komunikatë.

Duke sqaruar se kësaj radhe atyre iu bashkëngjitën edhe këshilltari diplomatik i Kryeministres së Italisë, Talò dhe emisari amerikan, Escobar, në komunikatë theksohet se për më shumë se dy orë, u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër.

“U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gusht 2022 në Bruksel”, shkruan në këtë njoftim.

“Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike”.

Në deklaratë sqarohet se ai i njoftoi emisarët për të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që lamë pas në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin demokratik dhe ekonomik, si dhe për aplikimin e Kosovë në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar dhe në Bashkimin Evropian në dhjetor, si hapa historik për Kosovën.

“I falënderoi të gjithë emisarët dhe vendet e tyre për përkushtimin dhe angazhimin në procesin e dialogut dhe rrugën përpara, duke shprehur gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit”.

Pas këtij takimi, emisarët udhëtuan për në kryeqytetin e fqinjit verior të Republikës së Kosovës.

Takimi i Kurtit me pesë emisarët, Lajçak: Nuk ishte takim i lehtë|Video

Fadil Sertolli / RTKlive

Ka përfunduar takimi i gjatë mbi dy orë i kryeministrit Albin Kurti me pesëshen e emisarëve ndërkombëtarë të cilët sot kanë ardhur në vendin tonë.

Pas këtij takimi dy orësh ka folur para mediave shkurtimisht i dërguari i BE-së,  Miroslave Lajçak, i cili tha se nuk ishte një takim i lehtë në zyrën e Kurtit.

“Jemi këtu sot një delegacion i fuqishëm i përbërë nga përfaqësues të SHBA-të, BE, si dhe Francës, Italisë e Gjermanisë. Ky është një sinjal i rëndësishëm për angazhimin tonë të fuqishëm që të arrijmë një marrëveshje mes Kosovës dhe  Serbisë” ka thënë Lajçak.

Ai tha se qëllimi i takimit me kryeministrin Kurti ishte që ta diskutojmë propozimin e normalizimi të marrëdhënieve mes dy vendeve të propozuar në dhjetor.

“Takimi zgjati mbi dy orë që tregon se nuk ishte i lehtë, por i hapur dhe i sinqertë. S’duam të japim deklarata dramatike, sepse jemi në mes të një procesi dhe do të vazhdojmë tani drejt Beogradit”, tha ai.

Gjithashtu, Lajçak tha se kanë pritur një mirëkuptim më të madh për mundësitë që ofron ky propozim.

“Shpresoj që të arrijmë atje ku e kemi synim dhe do të vazhdojmë të angazhohemi në këtë drejtim” ka thënë Lajçak.


MË SHUME NGA Lajme