Dorëzohet Vuçiq, pajtohet të bisedojë për planin franko-gjerman|Video
Anamari Repiq/RTK/Beograd
“Serbia është e gatshme të pranojë konceptin e planit dhe të punojë në zbatimin e marrëveshjes evropiane për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.
Kështu tha sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pas takimit me përfaqësuesit e vendeve më të rëndësishme perëndimore dhe të BE-së. Këtë takim, ai e konsideroi si "ndoshta bisedën më të vështirë".
Vuçiq ka thënë se ka një rezervë sa i përket nje çështjeje për të cilin nuk ka dashur të flasë pasi siç thotë ai- "propozimi nuk është publik".
Sipas Vuçiqit, sot si president i Serbisë është përballur me probleme dhe sfida që do t'i viheshin Serbisë “nëse ajo nuk pajtohej me planin e propozuar".
Vuçiq tha se është arritur një pajtim me të dërguarit perëndimorë se një konflikt i ngrirë nuk është zgjidhje.
Vuçiq tha se është koha e fundit të formohet Asociacioni, pas së cilës do të mund të bisedohet, sipas tij, për kthimin e serbëve në institucione të Kosovës dhe të arrihet një lloj normalizimi.
I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, pas takimit bashkë edhe me diplomatët të tjerë të Gjermanisë, Francës, SHBA-së e Italisë me Presidentin e Serbisë, deklaroi se zbatimi dhe themelimi i Asociacionit është elementi kyç.
Ai theksoi se plani gjermano-francez i paraqitur në shtator është mënyra më e mirë per marrëdhënie ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
"Presidenti Vuçiq tregoi një qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane për Serbinë. Për ne, zbatimi i Asociacionin është element kyç i stabilitetit", tha Lajçak.
Ai tha se plani franko-gjerman është i rëndësishëm edhe për integrimin evropian të rajonit dhe shtoi se negociatat do të vazhdojnë pa vonesa.
Në takimin me Presidentin e Serbisë, përveç Lajçakut, morën pjesë edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i kancelarit gjerman, Jens Plettner, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit francez, Emmanuel Bonne dhe Këshilltari i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Kryeministrit italian, Francesco Talo. Në takim mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.























