Mosvotimi i ndryshimeve ligjore për skemat pensionale nxit reagimet|Video
Besjana Mulaj|RTK
Mosvotimi i ndryshimeve ligjore në ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga shteti, ka nxitur reagimet e pensionistëve. Gjykata Kushtetuese u ka dhënë të drejtë pensionistëve kontributdhënës për njohjen e stazhit të punës për ata që nuk e plotësojnë këtë kriter, pasi në vitet 90-ta kishin qenë të larguar nga puna.
Kushtetuesja ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi që ndryshimet ligjore të kryhen deri më 15 korrik të këtij viti.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti nuk mori mbështetjen e deputetëve në seancën parlamentare të së mërkurës se kësaj jave.
Nga 61 deputetë sa morën pjesë në votim, 25 ishin për, 32 deputetë kundër dhe 4 abstenime.
I pakënaqur me këtë mospërkrahje është pensionisti Asllan Asllani.
Ai thotë se është e padrejtë që me ligjin aktual, pensionistëve kontributdhënës që ishin larguar nga puna gjatë viteve të 90-ta, t?u njihet stazhi i punës vetëm nëse i arrin 15 vjet përvojë pune.
Kjo i ka dëmtuar 15% të pensionistëve.
Mosmiratimi i iniciativës ligjore ka nxitur reagime të Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës.
Ndryshimi i ligjit ishte iniciuar nga deputeti Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,. Por, mosvotimin, Dreshaj e quan kundërkushtetues.
Në aktgjykimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë që jo më larg se deri më 15 korrik 2023, t`i ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga shteti.























