Policia goditet nga një veturë, shtie me armë për të neutralizuar rrezikun
M.Shefkiu/RTKLive
Policia e Kosovës njofton se në përpjekje për ta parandaluar një automjet kontrabandë në veriun e Kosovës, ka shtënë në drejtim të tyre, pasi i njëjti ka goditur veturën e policisë dhe është larguar nga vendi. Sipas njoftimit, kontrabanduesit kanë rrezikuar jetët e policëve, dhe si të tillë po hetohen nga organet e rendit.
“Sot, më 23 janar në Bistricë të Leposaviqit, një njësi policore ka qenë e caktuar me detyrë zyrtare në pikë kontrolli, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës. Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë veturën në fjalë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Personat e dyshuar, sipas të njëjtit njoftim, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas Policisë, hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Ndërsa lidhur me rastin, Policia e Kosovës thotë se ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme.
E në anën tjetër, mediat serbe thonë se Policia Speciale e Kosovës ka shtënë në drejtim të një veture ku kanë qenë dy serb.
E pas këtij rasti, ka reaguar drejtori i ashtuquajturës zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, sipas të cilit, njëri nga serbët është plagosur dhe po trajtohet në spitalin e Kralevës. Petkoviq ka thënë se serbët nuk kanë dashur të ndalen për “t’u keqtrajtuar pa asnjë bazë dhe arsye nga policia”.