Lajçak nis takimet me shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën
E. Hoti/ RTKlive
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar takime me përfaqësues të disa shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Lajçak ka takuar përfaqësuesin e Qeverisë së Spanjës, José Manuel Albares, të cilin e ka informuar për dialogun Kosovës-Serbi.
“Ne kemi nevojë për progres të shpejtë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë moment kritik. Mirënjohës për Spanjën për mbështetjen e fortë ndaj përpjekjeve të BE-së, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Ai po ashtu është takuar edhe me Rastislav Káčer, ministrin e jashtëm sllovak me të cilin kanë diskutuar mbi zhvillimet më të fundit në Ballkanin Perëndimor.
“E informova për vizitën time të fundit dhe përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E vlerësoj mbështetjen e fortë të Sllovakisë për të ardhmen evropiane të rajonit”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Spanja dhe Sllovakia janë dy nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.