Bislimi shpreh mbështetje për personat me aftësi të kufizuara
E. Hoti/ RTKlive
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim përfaqësues nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, anëtarët e Forumit shprehën kërkesat e tyre përkitazi me nevojat e personave me aftësi të kufizuara, ndër të cilat ishte edhe aprovimi sa më i shpejtë i projektligjit gjithëpërfshirës për këtë komunitet.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mbështetjen e plotë dhe gatishmërinë që të adresohen kërkesat e këtij komuniteti.
"Ky vullnet politik ekziston edhe në nivelin e Qeverisë, nga e cila viti 2022 u shpall vit i personave me aftësi së kufizuar. Sigurisht që puna nuk është përmbyllur me vitin 2022, Qeveria Kurti vazhdimisht synon që të sjellë përmirësime hap pas hapi duke i trajtuar problemet në mënyrë sistematike dhe duke shkuar drejt zgjidhjeve afatgjate”, thuhet në njoftim.
Për këtë, zëvendëskryeministri Bislimi ofroi kontributin edhe të stafit të cilin e ka në dispozicion që të komplementojë punën e institucioneve duke ndihmuar në avancimin e këtij procesi.