Ischinger për bisedimet Kosovë-Serbi, mbështet modelin e dy Gjermanive
Foto: Arkiv
Lajme

Ischinger për bisedimet Kosovë-Serbi, mbështet modelin e dy Gjermanive

M.Shefkiu/RTKlive

Wolfgang Ischinger, ish-diplomati gjerman dhe ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në negociatat për statusin e Kosovën, sërish ka folur për negociata e fundit që po zhvillohen ndërmjet dy vendeve. Ai në rrjetin social Twitter thotë se do të ishte mirë që të zbatohej propozimi i vitit 2007 për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, marrëveshja mes dy Gjermanive.

“Do të ishte mirë sikur propozimi ynë i vitit 2007 të zbatohej përfundimisht: modeli i dy Gjermanive – të përjashtohet çështja e statusit, të zgjidhen çështjet praktike”, ka shkruar Ischinger i cili gjithashtu ka shpërndarë një artikull të “Frankfurter Algemeine Zeitung” (FAZ) me titull “Negociatat në Beograd – si synon Perëndimi ta zgjidhë konfliktin e Kosovës”.

Në fillim të këtij artikulli thuhet se me ndihmën e SHBA-së, Parisi, Berlini dhe BE-ja duan t'i japin fund konfliktit mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Një konstrukt gjerman duhet të shërbejë si model. Gjermania, Franca, SHBA-ja dhe BE-ja po bëhen serioze: amerikanët dhe evropianët duan të përdorin të gjithë fuqinë e tyre për të zgjidhur konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet me tej në artikullin e këtij mediumi gjerman, i cili gjithashtu përmend një intervistë të mëhershme të Ischinger rreth modelit gjermano-gjerman.

Atëbotë ish negociatori gjerman kishte sugjeruar modelin e traktatit bazë gjermano-gjerman të vitit 1972 për të përjashtuar të pazgjidhshmen dhe për të arritur ende marrëveshjen.

“Ngjashëm me atë që bënë atëherë Republika Demokratike e Gjermanisë dhe Republika Federale, Serbia dhe Kosova nuk duhet ta njohin njëra-tjetrën de jure, por de fakto po, për të hequr konfliktet”, kishte propozuar Ischinger.  


MË SHUME NGA Lajme