Komisioni votoi Projektligjin për sëmundjet ngjitëse, bojkotohet opozita
Foto: RTKlive
Lajme

Komisioni votoi Projektligjin për sëmundjet ngjitëse, bojkotohet opozita

J.Musliu/RTKlive

Votohet  në parim nga ana e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Projektligji për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse. Por opozita pati shumë vërejtje, madje disa parti si LDK e AAK nuk morën pjesë fare në votim.

Partia Demokratike e Kosovës u ankua se Projektligjet e iniciuara nga opozita nuk po përkrahen nga mazhoranca.

“Ne si opozitë gjithashtu kemi promovuar tre projektligje, të cilat nuk kanë marrë aprovimin as në komision as në Kuvend nga mazhoranca, dhe unë nuk do të votoj asnjë projektligj në komision”, tha Floretë Zejnullahu, deputete nga PDK.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, nuk mori pjesë në votim. “Nuk e di kush e ka hartuar, por vërtëtë një profesionist shëndetësor mendoj që duhet të gjej diskprepanca mes realitet dhe asaj që është shkruar në këtë ligj”, deklaroi ai. “Ky ligj ka shumëçka që duhet të ndërrohet në të”.

Në votim nuk mori pjesë as deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

“Ai i cili e ka vendos që me këtë ligj të shfuqizohet ligji anti-covid, ka qenë duke mbledhur materiale”, tha Zemaj.

“Por është me mangësi të madhe. Krejt materia e brendshme nuk flet. Ligji është bërë pak për nguti”.

Ndërkohë, deputeti Bekim Haxhiu nga PDK-ja, deklaroi se për të është shqetësuese ikja e profesionistëve shëndetësor si dhe mospjesëmarrja e ministrave në këtë Komision.

“I kemi pasur mbi 1 mijë punëtorë që e kanë braktisur sektorin e shëndetësisë”, tha ai.

“Shërbimin shëndetësor qytetarët e kërkojnë në sektorin publik, mirëpo në pamundësi për ta marrë, shkojnë në sektorin privat”.

Deputeti i VV-së, e ka vlerësuar pozitivisht Ligjin e Pagave për sektorin e shëndetësisë.“Unë mendoj që buxheti dhe ndarja e buxhetit ka qenë lajm i mirë. Mendoj që ligji i pagave për shëndetësisë është i mirë”, tha Mirsad Shkreta.

Ndërsa kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, përmendi vërshimet e fundit në Kosovë, teksa tha se nuk ka rrezik për shpërthim të ndonjë epidemi.

 


MË SHUME NGA Lajme