Boletini: RTK dyfishoi të hyrat vetanake gjatë tremujorit të fundit|Video
RTKlive
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në mbledhjen e sotme bëri Shqyrtimin e Raportit të shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën tetor-dhjetor për vitin 2022 dhe shqyrtimin e Programit të Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar-mars për vitin 2023.
Kryetari i Bordit të RTK, Besnik Boletini bëri prezantimin e raportit të shpenzimeve për tre mujorin e katërt, të vitit 2022. Ai tha se 87,6 për qind e të hyrave janë nga buxheti, nga Kuvendi i Kosovës, nga të hyrat vetanake 10,3 për qind, kurse të hyrat tjera 2,05 për qind.
“Për këtë periudhë tre mujore kemi paraparë të hyra prej 2.515,000 mijë eurosh, kurse janë realizuar të hyra prej 2.556.000 eurosh, pra janë realizua mbi 41.000 euro më shumë se që janë paraparë. Kjo për shkak të hyrave nga marketingu si dhe për shkak të transmetimit të Kampionatit Botëror në Futboll në RTK. Kjo është pasqyrë përmbledhëse, për tremujorin e katërt të vitit 2022”, tha Boletini.
Sipas kryetarit të Bordit të RTK-së, kanë mbet të pashfrytëzuara, nga buxheti i tre mujorit të fundit diku mbi 60.000 euro, të cilat janë shfrytëzua në këtë fillim vit.
Kryetari i Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja pyeti se si është i mundur dyfishimi i të hyrave vetanaka në vitin 2022, krahasuar me vitet paraprake.
Sipas Bordit të RTK-së, dyfishimi i të hyrave vetanake ka ndodhur për shkak të riorganizimit të marketingut dhe transmetimit të Kampionatit Botëror të Futbollit, në RTK.