Konjufca me delegacionin e APKE-së, kërkon anëtarësim në BE e NATO
Foto: Zyra e Kryetarit të Kuvendit
Lajme

Konjufca me delegacionin e APKE-së, kërkon anëtarësim në BE e NATO

M.Shefkiu/RTKlive

Gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare në Strasburg, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca zhvilloi takime me grupe politike dhe delegacione të shteteve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), ndërsa anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare, e sheh si proces të domosdoshëm.

Gjatë kësaj vizite, kryeparlamentari Konjufca takoi kryesuesin e Grupit Socialist, Demokrat dhe të Gjelbërit, Frank Schwabe, anëtarë të delegacionit gjerman dhe delegacionin parlamentar të Mbretërisë së Bashkuar.

Po ashtu gjatë ditës, kreu i Kuvendit u prit në takime edhe nga udhëheqësi i Grupit Konservativ Evropian dhe Aleancës Demokratike, Ian Liddell-Grainnger, kryesuesi i Grupit të të Majtëve Evropianë të Bashkuar (UEL), George Katrougalos, si dhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në këto takime u diskutua për zhvillimet aktuale në rajon e më gjerë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit, thuhet në njoftimin për media lëshuar nga Zyra për Medie e Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Konjufca ka ritheksuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e anëtarësimit sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare.

Mbrëmjen e sontme, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasburg, do të organizohet pritje për Anëtarët e APKE-së dhe Përfaqësuesit e Përhershëm, përkatësisht Ambasadorët në Këshillin e Evropës, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Lajme