Një draft për Asociacionin do të prezantohet javën e ardhshme|Video
Lajme

Një draft për Asociacionin do të prezantohet javën e ardhshme|Video

Donika Sherifi / RTK

Një draft i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të prezantohet javën e ardhshme në Kosovë.

Institutit gjerman “Friedrisch Ebert Stiftung” në partneritet me Institutin Evropian për Paqe, të hënën do ta publikojnë raportin përmes të cilit synohet forcimi i Kosovës si partner për paqen dhe sigurinë në rajon.

Sipas përpiluesve, drafti tregon se si duhet të duket Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas vendimit të Kushtetutës së Kosovës.

Ky raport, i përpiluar pas disa punëtorive të mbajtura vitin e kaluar, flet mbi çështjet e pazgjidhura të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nëpërmjet këtyre punëtorive diskutuam dhe trajtuam çështjet dhe sfidat më urgjente lidhur me zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila i parapriu hartimit të Statutit. Puna është produkt i partneritetit mes dy organizatave tona dhe nuk përfshin asnjë palë të tretë. Procesi i hartimit të statutit përfshinte konsultime me ekspertë, akademikë dhe profesionistët që punojnë ose përfshihen në dialogun e Brukselit’, thuhet në njoftimin e FES.

Sipas FES, puna për publikimin e raportit drejtohet nga motivimi për të kontribuar në inicimin e një diskutimi publik thelbësor dhe ofrimin e rekomandimeve të formuara përmes ekspertizës së duhur vendore dhe ndërkombëtare, siç kanë bërë në të kaluarën për çështje të ndryshme politike dhe socio-ekonomike.

Instituti Friedrich-Ebert-Stiftung dhe Instituti Evropian i Paqes kohë më parë kishin njoftuar se nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga i dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qeveria gjermane apo ndonjë palë tjetër për të hartuar një statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

RTK ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës për këtë draft, por që nuk kanë kthyer përgjigje.

Televizioni po ashtu ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga zëdhënësi i BE-së për këtë paralajmërim, por që gjatë ditës nuk janë përgjigjur.


MË SHUME NGA Lajme