Ka vdekur piktori i njohur Daut Berisha
Kulturë

Ka vdekur piktori i njohur Daut Berisha

RTKlive

Berisha, i cili me artin e tij u bë qytetar i botës përmes të cilit mori vëmendjen në kryeqendrën e artit, vdiq të hënën në Prishtinë, ku erdhi së voni dhe iu rëndua gjendja shëndetësore. Berisha 76 vjeç, u varros të mërkurën në kryeqytet. Kanë qenë familjarët e tij të afërt që e konfirmuan lajmin përmes rrjeteve sociale.

Berisha u lind më 1946 në Pejë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Akademinë e Arteve të Bukura në Paris. Prej vitit 1973 mori pjesë në ekspozita të përbashkëta më piktorët francezë, sidomos në “Grande Palais” dhe në galerinë “Ires Clert” të Parisit.

“Ekspozoi në Paris (1977, 1979), Mont la Jolie (1979), Nansye (1982) Vale de Bravo, Meksikë (1982), Los Angeles (SHBA)”, shkruhet në biografinë e tij në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”.

Njeriu, portreti qe kryefjalë e vepër së tij. Siç shkruan kritiku Rexhep Goçi, botën reale dhe joreale të njeriut, Daut Berisha në pikturat e tij i ktheu në formësim artistik, herë si dritë fizike dhe herë si rrëfim shpirtëror.

“Në fillim artin e tij e përcolli simbolika e trajtave dhe më vonë pasuria e ngjyrave. Veprat e tij gjenden në shumë koleksione private, galeri e muze”, ka shkruar Goçi. 


MË SHUME NGA Kulturë