E merr zjarri një depo të FSK-së në Istog/Video
M.Sh/RTKlive
Në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Istog ka shpërthyer një zjarr. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i emergjencave në Komunën e Istogut, Xhevat Demaj.
Ky i fundit për RTK tha se momentalisht një objekt rreth 400-500 metra është duke u djegur, ndërsa ende nuk dihen shkaqet që çuan deri te ky zjarr. Demaj tha se nuk ka pasoja në njerëz dhe se ekipet e zjarrfikësve nga Peja dhe Klina kanë shkuar në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet policore.
Bëhet e ditur se kjo ishte një depo e vjetër, e trashëguar nga ish forcat paqeruajtëse të NATO-s.
Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se është djegur një objekt ndihmës i FSK-së.
“Rreth orës 11:35, policia është njoftuar për një zjarr në kazermën e FSK-së në Istog. Është djegur një objekt ndihmës. Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ka dëme materiale, por jo të lënduar”, ka thënë Gashi.























