Anulohet vendimi për hedhjen e aktakuzës për dhunimin e 11 vjeçares
E. Hoti/ RTKlive
Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka aprovuar si të bazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur, për hedhjen e aktakuzës për dhunimin e 11-vjeçares.
Apeli ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë për hedhjen e aktakuzës, është si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat shkelje kanë kushtëzuar që aktvendimi ankimor të anulohet.
“Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimet e gjykatës së shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave, respektivisht propozimit është si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat shkelje kanë kushtëzuar që aktvendimet ankimor të anulohet dhe çështjet të kthehen në rivendosje”, thuhet në njoftim.
Sipas Apelit gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme ligjore kur ka hedhur aktakuzat.
Sipas tyre arsyet janë të pa qarta dhe kundërthënëse mes vete dhe në kundërshtim me bazën ligjore për hedhjen e aktit akuzues.
“Gjykata e Apelit ka gjetur se aktvendimet e ankimuara duhet anuluar dhe kthyer çështjet në rivendosje, për shkak se aktvendimet janë të përfshira në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale sepse gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme ligjore kur ka hedh aktakuzat e lartcekura, respektivisht arsyet të cilat janë dhënë nga gjykata e shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave janë të paqarta dhe kundërthënëse në vetvete dhe në kundërshtim me bazën ligjore për hedhjen e aktakuzës”, thuhet tutje në njoftim.























