“Magjistari” frankofon që theu ritet e poezisë shqipe
Foto/Skender Sherifi /Facebook
Kulturë

“Magjistari” frankofon që theu ritet e poezisë shqipe

Intervistoi: Mentore Murati/Radio Kosova

Poeti shqiptar frankofon, Skënder Sherifi, e ka botuar në vjeshtë të vitit që shkoi librin poetik “Love” me 100 poezi, që për temë kanë ndjenjën më të lartë njerëzore, dashurinë. “Love” erdhi në shqip me përkthim nga Albert Nikolla dhe u botua nga shtëpia botuese “Ilar”.

Ky libër, ndërkaq, është varianti në shqip i një libri tjetër që autori Sherifi e kishte botuar në vitin 2008, me titull “Love Songs”. “Love Songs”, ndërkaq, ishte shpallur po atë vit nga mediat belge e franceze si njëri ndër dhjetë botimet më të suksesshme të botës frankofone.

Në një intervistë për Radio Kosovën poeti Sherifi ka thënë se “Love” është një antologji personale e tij kushtuar dashurisë. Ai më tej shton se në këtë libër ka shkrirë tërë përvojën krijuese më se 50-vjeçare, duke përdorur lloje dhe stile letrare që prej lirikës klasiciste e deri te rock-poezia.

Radio Kosova: A mund të thuhet se libri juaj i fundit “Love” është një antologji juaja personale?

Skënder Sherifi: Po. Në njëfarë mënyre është një antologji, një antologji imja për dashurinë. Është një libër që ka përmasa planetare, shëtit në pesë kontinente: në Amerikë, Azi, Afrikë, Evropë e Oqeani. Është një panoramë e dashurisë në pesë kontinente. Një antologji me 100 poezi që ua kam kushtuar grave ikonike të botës së filmit, të botës së shkencës, të botës së politikës.

Por, nuk janë vetëmkëto 100 tekste, aty janë edhe 500 citate nga autorë të pesë kontinenteve: filozofë, shkrimtarë, sociologë e artistë të tjerë, të cilët e kanë përshkruar vet dashurinë sipas koncepcioneve të tyre kontinentale. Janë mendime se qysh ata e kanë perceptuar pasionin, dashurinë, romantizmin, marrëdhënien burrë - grua, pra janë konceptet e amerikanëve, evropianëve, afrikanëve, aziatikëve dhe oqeanikëve mbi dashurinë. Janë 500 mendime që vijnë në një libër dhe që mendoj se e pasurojnë lexuesin, sepse çdokush e sheh dashurinë dhe pasionin me eksperiencën e vet, me kulturën e vet.

Perceptimet dallojnë, nuk është i njëjti perceptim si te një francez, si te një peruan, si te një angolez, si te një senegalez, si te një vietnamez. Pra, libri “Love” ka 100 poezi dhe 500 mendime. Çdo poezi është e shoqëruar me nga një “mysafir”, ose siç zakonisht mediat i quajnë “Guest Stars”.

 Në këtë libër unë i ftoj 500 artistë të cilët i shoqërojnë poezitë e mia. Ata janë njerëz të teatrit, të filmit, të fotografisë, të pikturës, arkitekturës etj. Për shembull, kur unë ia kushtoj një poezi aktores së famshme italiane, Sofia Loern, në ndihmë më vijnë dy regjisorët italianë, Dino Rizzo dhe Etore Skola. Kur shkruaj poezi për Brigitte Bardon’t, më vjen në ndihmë Jean-Luc Godard.

Radio Kosova: A mendoni se me këtë libër keni arritur mjaftueshëm ta përshkruani bukurinë dhe karakterin e gruas?

Skënder Sherifi: Mund të them se me librin “Love” i kam arritur objektivat dhe qëllimet e mia. Që prej kohësh e kam ëndërruar një kësolloj libri. I tash vetes: ta provoj ta shkruaj një libër sa më të pasuar dhe sa më origjinal, si një lloj enciklopedie për dashurinë, ose si një bibël personale për dashurinë, ose si një libër që provon ta përmbyll komplet temën e dashurisë.

Besoj se pjesërisht  ia kam arritur qëllimit. Vërtetë, nuk e di se çka kisha mundur të them më shumë e kaq për dashurinë!? Për mua është libër kult, emblematik. Është libër oqeanik, titanik, si ato dymbëdhjetë punimet e Herkulit. Libër i pazakonshëm, një sensacion i çuditshëm.

Radio Kosova: Pjesa më e madhe e krijimtarisë suaj letrare si gjuhë të parë ka pasur frëngjishten, a mendoni se përkthyesit tuaj, që nga Ibrahim Rugova e deri te Albert Nikolla, kanë arritur ta sjellin në shqip frymën dhe mesazhin që ka ajo në gjuhën frënge?

Skënder Sherifi: Po. Mendoj se ia kanë arritur. Përkthimet e autorëve shqiptarë më kanë shërbyer në mënyrë shumë dinjitoze, sidomos Ibrahim Rugova me dy librat me të cilët edhe hyra në letërsinë shqipe: “Lojë e kundërlojë” në vitin 1980 dhe “Oksigjeni” në vitin 1989. Në kohën e shkrimit të këtyre teksteve nuk kam qenë në gjendje të shkruaj në gjuhën shqipe, sepse nuk e kam zotëruar shqipen sikur tani. Tani shkruaj edhe në shqip, bile versionin dytë të librit “Love” e kam adaptuar vetë për botimin shqip. Po ashtu, edhe librin “Festivali i pasioneve” e kam adaptuar vet. Mendoj sa tani e zotëroj shqipen deri në atë nivel sa për ta propozuar vet një vepër në shqip, porse kuptohet - me shqipen time dhe me stilin tim.

Në kohën kur kam punuar me Ibrahim Rugovën në fund  të viteve ‘70-të dhe në vitet ‘80-të të shekullit të kaluar, nuk e kam zotëruar shqipen sa në nivelin e sotëm.

Radio Kosova: A mendoni se shqipja ka hapësirë të mjaftueshme shprehësie sa dhe frëngjishtja?

Skënder Sherifi: Në poezi jo. Në poezi frëngjishtja ka më shumë kapacitete leksikore, në frëngjisht mund të bësh trukime e manipulime me fjalë, mund të bësh ping-pong fjalësh, lojëra fjalësh, asociacione tingujsh, sense të dyfishta, të trefishta. Mund të luash me gjuhën frënge siç kanë luajtur në vitet ‘20-të dadaistët, siç kanë luajtur në vitet ‘30-të surrealistët me Andre Breton-in e Philippe Saoupault-in. Pra, frëngjishtja i lejon dhe u jep liri poetëve për eksperimentime leksikore, fonetike e të tjera.

Poeti është i lirë të shkoj larg me eksperimentime, aq sa dëshiron vetë. Ndërsa gjuhës shqipe mendoj se i mungon ky kërkim, ky eksperimentim. Poezia shqipe shkruhet në mënyrë serioze, në mënyrë  kademike, në mënyrë romantike. Kur e lexon, për shembull, Migjenin, Lasgushin, Ali Podrimjen, Azem Skkrelin Xhevahir Spahiun, Fatos Arapin ... të gjithë këta e kanë një gjuhë serioze, nuk bëjnë eksperimente me gjuhën shqipe.

Kurse te poetët francezë ka shumë eksperimente, provokime dhe lojëra gjuhësore, ka prova radikale, ata e thyejnë sintaksën, e thyejnë sensin, kanë liri të krijojnë fjalë të reja, fjalë që shkruhen ndryshe, tingëllojnë ndryshe, e kuptohen ndryshe etj. Gjuha te poetët francezë është sikur një truk në duart e magjistarëve të cilët lojën e bëjnë magji. Shqipja, ndërkaq, sikur nuk i lejon këto që thash më sipër. Shqipja është gjuhë përshkruese. Poezia shqipe sikur i paravendos vetvetiu kufijtë e lirizmit dhe epizmit.

Mendoj se, ngjan kështu për shkak se tradita jonë letrare është e ndërtuar mbi rapsodinë dhe mbi epikën. Nuk mund t’i thuash Homerit më shkruaj një rock-poezi! Ne jemi traditë antike që nuk përkon me kulturën e pop-it e rock-ut. Kjo kulturë sikur ende nuk po i shkon natyrës dhe karakterit të gjuhës shqipe.

Radio Kosova: Ju jeni njëri prej poetëve që në letërsinë shqipe keni hyrë si një “rrënues” i kanoneve tradicionale; keni futur në poezinë tonë skema të panjohura më parë, a mendoni se letërsia shqipe ende është e ndikuar nga këto “kanone” të Rilindjes Kombëtare, apo më vonë edhe të realizimit socialist?

Skënder Sherifi: Kur punoja me Ibrahim Rugovën dhe i shtronin për diskutim këto çështje ai shpesh thoshte se ne jemi trashëgimtarë të Rilindjes Kombëtare, se poezia jonë është post-rilindëse, është poezi romanike nacionale me temë kombëtare. Tani, sot, unë do të shtoja se poezia jonë është frymë e rapsodisë shqiptare, është frymë e eposit shqiptar. Sidoqoftë, kjo që po them, në asnjë mënyrë nuk ia ulë vlerën, sepse rapsodia dhe epika qëndrojnë në amën e letërsisë së përbotshme, me autorët legjendarë: Homerin, Eskilin, Virgjilin, e kështu me radhë. Ashtu siç e përkufizonte atëbotë Rugova mendoj se ne endenuk kemi dalë nga ajo bazë, ende nuk jemi shkëputur nga ajo trashëgimi.

Autorët shqiptarë ende nuk e shohin si diçka normale nëse provojnë të eksperimentojnë me pop-artin, si për shembull Andy Warhol-i. Te ne kjo nuk paraqet një traditë normale. Unë, ndërkaq, kam “guxuar” t’i kapërcejë këto “kanone”, sepse unë kam një formim kulturor frankofon, sepse jam shkolluar në shkollat franceze dhe mendoj se letërsia ime më shumë i takon shkollës letrare franceze.  

Si krijues jam frymëzuar me rock-un e Michael Godard-it, jam frymëzuar me teatrin e Beckett-it dhe të Ionesko-s, jam frymëzuar nga “romani i ri” i Nataly Restokian-it. Duke qenë se kam dalë nga këto shkolla artistike e filozofike, ky eksperimentim imi besoj se ka dal i natyrshëm. Mendoj se pikërisht për këtë arsye më ka dashur Ibrahim Rugova. Ai e ka vlerësuar lart estetikën e poezisë sime dhe i ka përkthyer librat e mi me shumë përkushtim.

Më thoshe se isha një autor i veçantë sepse i kisha thyer kornizat e ngurta, e kisha thyer tradicionin, ritet e poezisë shqipe, kisha sjell rryma evropiane e amerikane në letërsinë shqiptare. Më thoshte, po ashtu, se isha një autor shqiptar por me formim frankofon dhe si i tillë duhej të celebrohesha në tokën shqiptare, sepse, sipas Rugovës, unë isha pjesë e kulturës shqiptare.

Skënder Sherifi për më se 50 vjet e ndan artin e tij letrar mes gjuhës shqipe dhe frënge. Deri tash ka botuar këta libra: “Dega e pikëlluar” (1979, antologji e poezisë shqiptare nga trojet jashtë kufijve), “Lojë e kundërlojë”, (1980, poezi,përktheu Ibrahim Rugova), “Diku, dikush” (1980, poezi), “Oksigjeni” (1989,poezi, përktheu Ibrahim Rugova), “Ora e meteorëve” (1996, poezi), “Atelietë e ëndrrave” (2005, poezi, përktheu Albert Nikolla), “Trijo e përjetshme” (2012, dramë) “Hijet e Dritës” (2011, poezi), “Love” (2022, poezi, përktheu Albert  Nikolla). Emri i Skënder Sherifit është përfshirë në fjalorin francez “Larousse” të letërsisë botërore, një fjalor që në Francë botohet çdo 25 vjet e që konsiderohet si një lloj bible referenciale e letërsisë botërore.


MË SHUME NGA Kulturë