Osmani e dekoron me Medalje Presidenciale komandantin e Gardës së Iowa-s
BKT
Foto: Presidenca e Kosovës
Lajme

Osmani e dekoron me Medalje Presidenciale komandantin e Gardës së Iowa-s

M.Shefkiu/RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl. Dekorimi i ushtarakut amerikan u bë sot pas një takimi që Osmani zhvilloi me delegacionin e SHBA-ve, të prirë nga gjeneralmajor Benjamin J.Correl, komandant i Gardës Kombëtare të Iowa-s, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mbrojtjes.

Pasi që ka falënderuar gjeneralmajorin Correl për gjithë angazhimin e tij në fushën e bashkëpunimit bilateral ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, si dhe kontributin në fushën e mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, presidentja Osmani e ka dekoruar atë me Medaljen Presidenciale Ushtarake.

Sipas njoftimit për media lëshuar nga Presidenca, Osmani ka thënë se Programi i Bashkëpunimit në fushën e Sigurisë i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, të kryesuar nga Byroja e Gardës Kombëtare, respektivisht Partneriteti shtetëror me Iowa-n, është thelbësor për marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Në këtë kontekst, ajo ka çmuar angazhimin e deritashëm të gjeneralmajorit Correl, duke shfaqur shpresën se marrëdhëniet në fushën e sigurisë ndërmjet të dy shteteve vetëm sa do të thellohen në të ardhmen.

“Rezultatet tua në fushën e bashkëpunimit janë të dukshme dhe rrjedhojë e këtij partneriteti me Gardës Kombëtare të Iowa-s. Falënderoj shtetin e Iowa-s për qindra burra dhe gra të Gardës Kombëtare me uniformë, të cilët kanë shërbyer në Kosovë gjatë viteve në kuadër të KFOR-it, sikurse të gjithë ata që janë pjesë e programit të partneritetit”, është shprehur Osmani.

Më tej, presidentja ka theksuar se Garda Kombëtare e Iowa-s ka kontribuar ndjeshëm në profesionalizimin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke qenë kontribuuese në misionet ndërkombëtare bashkërisht me trupat amerikane.

Ndërkaq gjeneralmajori Correl tha se ndihet i nderuar me dekoratën e presidentes Osmani, e cila sipas tij, do të shërbejë si një kujtim i çmuar i partneritetit me ushtrinë dhe shtetin e Kosovës.

Gjeneralmajor Correl ka potencuar se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në çfarëdo kapaciteti që do të jetë i angazhuar.


MË SHUME NGA Lajme