Banesat sociale në Plemetin, jashtë çdo standardi të jetesës
BKT
Lajme

Banesat sociale në Plemetin, jashtë çdo standardi të jetesës

Ardiana Hajzeri/Radio Kosova

Në Kosovë shumë familje jetojnë në kushte të rënda ekonomike dhe ambiente që nuk i plotësojnë kushtet minimale për jetesë. E jetën e tyre e ka vështirësuar edhe më shumë kriza e fundit, sidomos për banorët të cilët jetojnë në ndërtesat Sociale në fshatin Plemetin në Komunën e Obiliqit.

Familjet të cilat të vetmin burim të të ardhurave e kanë asistencën sociale, jetojnë në kushte të rënda ekonomikë. Radio Kosova ka vizituar banesat sociale në Plemetin të Obiliqit dhe gjatë bisedës me banorët aty ka kuptuar që asistenca sociale që ata marrin dhe infrastruktura ku ata jetojnë nuk i plotëson as nevojat elementare të këtyre familje.

Hanife Gashi, e cila është banore në  këto ndërtesa i tha Radio Kosovës se jeta e tyre është shumë e vështirë pasi të vetmin burim e kanë asistencën sociale dhe se ambienti ku jeton ajo me 6 fëmijët e saj nuk i plotëson kushtet minimale për jetesë.

“Me ndihmë sociale jetojë, edhe këtë social e marrë që jam e sëmurë se tjetër ndihmë s’ka. Me gjashtë fëmijë, jetimë, jetoj se burri me ka vdekur. Shumë vështirë. As rrymën s’po mund ta paguaj e ku janë të tjerat ushqimi, veshmbathja e  tjerat nevoja s’po di as qa me thanë”, deklaroi ajo.

Sfide tjetër për Hanife Gashin mbetet edhe infrastruktura e dobët e objekteve ku ata jetojnë. Ambientet ku jetojnë janë pjesërisht të dëmtuara dhe se rrezikohen nga rryma elektrike pasi shumë shpesh ndodh që të digjen kabllot elektrike, tha ajo.

“Gjithmonë kemi pengesa me rrymë, kallet rryma, kërcasin trafat e na gjithmonë kemi pengesa. Nuk e di, s’na ka metë send tjetër veç me u kap përdore me fëmijë e me krejt e të shkojmë para komunës e t’u themi se ne s’po mundeni më”, deklaroi Gashi.   

Në kushte të vështira jetojnë edhe shumë familje në këtë fshat. Ragip Morina në një përgjigje për Radio Kosovën thotë se e kanë shumë të vështirë të sigurojë ekzistencen për familjen e tij.

“ Kushtet i kemi shumë të vështira, një ndihmë sociale e marrim. Qitu në dyqan krejt hyra borxh për të marr harç e si të marrim duhet të paguajmë dhe nuk na del. Zor shumë, shumë zor, zvarrë  po shkojmë. Vetë i gjashti jetoj, fëmijët po i lypin senet. Po me duket se çdo ditë e më vështirë po vjen”, tha Morina.

Po ashtu, Morina tha se edhe ndihmën sociale që e merr rrezikon ta humbë,  pasi kriteret parashohin që kur fëmija me i vogël në familje mbush 5 vite, automatikisht largohet nga kjo skemë.

“Rrezik është me ma ndal edhe këtë ndihmë sociale që e marrë. Djalin e kam 4 vjeç po si t’i bënë 5 ma ndalin. Nëse ma ndalin kam me marrë djalin e kam për ta dërguar në zyrë e t’ju them gjejani një punë. Shumë problem se kërkesat veç po rriten”, tha ai.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës 18 për qind e popullsisë së Kosovës jeton nën kufirin e varfërisë dhe 5 për qind popullsisë nën kufirin e varfërisë së skajshme.


MË SHUME NGA Lajme