Katër oda të biznesit mbështesin Iniciativën për mirëqenien e ushtarakëve
Fadil Sertolli / RTKlive
Në kuadër të bashkëpunimit të Ministrisë së Mbrojtjes me bizneset dhe institucionet private, Oda Ekonomike e Kosovës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës dhe Oda Tregtare Kosovaro-Turke, qenë partnerët e radhës të cilët shprehën gatishmërinë për të ofruar ndihmën dhe kontributin e tyre për pjesëtarët ushtarak.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në Facebook tha se në ditën në vijim presin që kësaj iniciative që ka për qëllim ngritjen e mirëqenies se ushtarakëve t'i bashkohen edhe shumë biznese të tjera.
“Kjo është vetëm njëra nga nismat që kemi ndërmarrë në kuadër të mbështetjes që do ofrojmë në raport me rëndësinë dhe detyrën fisnike që ushtria jonë ka”, ka thënë Ministri Mehaj.
Tutje ka thënë ai se ushtarakët përbëjnë një komunitet të rëndësisë së lartë, ndërsa siç thotë ai, ushtria është institucion i vlerave të mëdha.
Andaj, sipas tij, veprimet duhet të jenë të koordinuara, përballë qëllimeve që i kemi të përbashkëta.