Qasja kundruall dialogut|Video
Foto: RTKlive
Lajme

Qasja kundruall dialogut|Video

Donika Sherifi/ RTK

Për temën e Asociacionit ka shkruar sot zëdhënësi i partisë në pushtet Arlind Manxhuka. Kjo kauzë të cilin ai e quan "Zajednicë" thotë se ka vdekur. Ky reagim i tij vjen pas një aksioni të të rinjve të LDK-së të cilët i quajtën të vdekura kauzat e kryeministrit Albin Kurti përmes disa afisheve që i vendosën te Qeveria. Ndërkaq, edhe shoqëria civile kritikoi Qeverinë për jotransparencë për dialogun derisa ftoi opozitën për qasje serioze dhe të përgjegjshme në këtë proces.

Partitë opozitare në vend vazhdojnë ta kritikojnë qasjen e Qeverisë karshi procesit të dialogut.

Duke ia kujtuar premtimet e së kaluarës, përmes disa aksioneve, opozita ka kritikuar kryeministrin se i ka shkelur të gjitha kauzat me të cilat ka ardhur në pushtet.

Të rinjtë e LDK-së, i shkuan kryeministrit Kurti te hyrja e objektit dhe i vendosën disa afishe, duke pretenduar se kanë vdekur të gjitha kauzat e Kurtit dhe të Lëvizjes Vetëvendosje me të cilat ata kanë ardhur në pushtet.

Sipas LDK-së, rritja e çmimeve, mungesa e perspektivës ekonomike, largimi i vazhdueshëm i të

rinjve nga Kosova janë dëshmi e mjaftueshme se kjo qeveri është e paaftë për ta sjellë ndryshimin e domosdoshëm për të cilin të rinjtë e Kosovës kanë nevojë dhe e kërkojnë nga politikanët kosovarë.

Pas aksionit të tyre, ka reaguar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, i cili ka akuzuar LDK-së se ia kanë vjedhur idenë për njoftimin mortor.

Ai duke iu referuar afisheve që dikur Vetëvendosje vendoste në shenjë kundërshtimi për Asociacionin, të cilit i referoheshin si “Zajednica”, ka shkruar se ka vdekur kauza e 25 gushtit 2015, ajo e themelimit të siç shkruan Manxhuka "Zajednicës".

E pikërisht për Asociacionin, të hënën forumi gjerman FES do të publikojë një draft, përmes të cilit do të sqarohet se si do të ishte një asociacion i formuar sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

RTK ka provuar t'i marrë qëndrimet e të gjitha partive për këtë draft dhe nëse ata e kanë parë e do ta mbështesin atë, por që pavarësisht insistimit, nuk janë përgjigjur.

Kritika për qasjen e Qeverisë Kurti ka shprehur Instituti Demokratik i Kosovës, sipas të cilit, përderisa procesi gjendet në një fazë mjaft delikate, qytetarët e Kosovës janë të painformuar mbi përmbajtjen e takimeve të ndërlidhura me dialogun dhe ujditë e mundshme lidhur me këtë proces.

Meqë përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi është çështje e interesit nacional, pritjet e KDI-së janë që edhe subjektet politike opozitare të tregohen të përgjegjshme dhe serioze në përpjekjet e tyre për ta mbajtur Qeverinë llogaridhënëse dhe për të ofruar kapacitetet e tyre në formësimin e qëndrimeve sa më konsensuale të palës kosovare.

Në këtë drejtim, sipas tyre, opozita përmes praktikave dhe instrumenteve kushtetuese parlamentare, do të duhej ta ftonte kryeministrin në raportim në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, në lidhje me zhvillimet në procesin e dialogut.


MË SHUME NGA Lajme