Deputetët e LVV: `Zajednica` nuk kalon
J.Musliu/RTKlive
Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “Zajednica nuk kalon”.
Në këtë mënyrë, ai ka reaguar lidhur me qëndrimet e këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Abrashi ka shkruar se -“nuk e di çka Vuqiqi e Brnabici i kanë premtuar Cholletit dhe Escobarit, por: Zajednica nuk kalon”.
Ndërkaq deputetja e VV-së, Tinka Kurti ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe i dobëson komunat me shumicë serbe dhe e forcon Serbinë.
“Kryetari i ardhshëm i Asociacionit do ta marrë aminin te Vuçiqi dhe Porfirije në Beograd, do t’i dominojë kryetarët e 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe do ta luftojë ministrin Nenad Rashiq në Prishtinë”, ka thënë ajo.
Reagimet e tyre pasojnë deklarimet e përbashkëta të Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, të cilët në një shkrim të përbashkët, i kanë bërë thirrje Kosovës, të themelojë Asociacionit të komunave me shumicë serbe.