Deklarata e presidentit kroat për Kosovën ka ngjallur reagime të shumta
Lajme

Deklarata e presidentit kroat për Kosovën ka ngjallur reagime të shumta

RTK

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka kritikuar shtetet perëndimore për përdorim të standardeve të dyfishta në politikat ndërkombëtare, duke tërhequr paralele mes shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe aneksimit të Krimesë. Deklaratat e tij kanë nxitur reagime në Kroaci dhe Kosovë.

Deklaratat e presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq se Kosova është marrë nga Serbia, pa vullnetin e saj, ka ngjallur reagime të shumta.

Presidenti i Kroacisë, kritikoi shtetet perëndimore për përdorim të standardeve të dyfishta në politikat ndërkombëtare, duke tërhequr paralele mes shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe aneksimit të Krimesë. Ai ka thënë se Rusia mund të përdorë, atë që e quajti “aneksim të Kosovës” nga komuniteti ndërkombëtar si një justifikim për të marrë pjesë të territorit të Ukrainës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq i cili ka thënë se Kroacia e ka njohur Kosovën dhe se është shtet sovran.

“Sa jam unë në dijeni askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Asnjë shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin e ka njohur Kroacia. Aneksim është kur Rusia okupon territor të Ukrainës, organizon referendum të rrejshëm dhe ia bashkon ato pjesë Rusisë, ka thënë në reagimin e tij kryeministri kroat”, ka thënë Plenkoviq.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar edhe deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermina Lekaj-Përlaskaj e cila ka thënë se “Kosova është marrë nga Serbia”, duke theksuar se themelet e pavarësisë së Kosovës janë të njëjtat që çuan në pavarësinë e Kroacisë.

“Shtetësia e Kosovës nuk mund të sfidohet sepse ajo u bë e pavarur sipas të njëjtit model si Kroacia”, ka thënë Përlaskaj.

Rreth kësaj deklarate të presidentit kroat ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku. Sipas Klinakut po të mos ishin përpjekjet e popullit shqiptar, sa për Kroacinë dhe ndërkombëtarët, Kosova ende do të ishte nën Jugosllavi. |Shqipërisë i janë aneksuar territoret edhe më herët, por ta themi që nga 1912-ta. Për këtë, shqiptarët nuk i kanë ndalur asnjëherë përpjekjet për t’i rikthyer territoret, që ende i mbajnë pushtuesit sllav e grek”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

Deklarimi i Milanoviqit se Kosova është marrë nga Serbia, pa vullnetin e saj, ka ngjallur reagime të shumta.


MË SHUME NGA Lajme