Kurti: Lufta kundër korrupsionit po jep rezultate
E. Hoti/ RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas raportit të “Transparency International”, ku është bërë e ditur se Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit.
Në një postim në Twiter, Kurti ka thënë se lufta kundër korrupsionit po vazhdon të jep rezultate.
Sipas Kurtit, ky rezultat është konfirmim i pavarur se reformat e Qeverisë së tij po funksionojnë.
“Lufta kundër korrupsionit vazhdon të japë rezultate. E ngecur për gati një dekadë në gjysmën e fundit globalisht në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Kosova është ngritur 20 vende lart në 2 vjet nën Qeverinë tonë. Konfirmim i pavarur se reformat tona po funksionojnë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Sipas “Transparency International”, për vitin 2022, Kosova është vlerësuar me 41 pikë, duke u ranguar në vendin e 84 në ranglistën botërore prej 180 shtetesh.
Ky rezultat reflekton një trend të vazhdueshëm dhe inkurajues të përmirësimit të Kosovës krahasuar me vitet e kaluara.
























