Pas debatit të Parlamentin britanik për Kosovën, Peach takim me Lajçakun
J.Musliu/RTKlive
Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin perëndimor, Stuart Peach, është pritur sot në Bruksel në një takim nga i emëruari i posaçëm i BE-së për këtë rajon dhe dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Për këtë takim ka njoftuar vetë Lajçak me një postim në llogarinë e tij në Twitter.
“Shumë i lumtur të mirëpres të dërguarin britanik për Ballkanin Perëndimor, Lordin Peach sot në Bruksel”, shkroi Lajçak.
“Ne patëm një diskutim të thellë për zhvillimet e fundit në rajon”.
Më tej diplomati evropian deklaroi se- “i çmoj shumë vlerësimet e tij (Peach) për sigurinë dhe angazhimin ndaj misionit tonë të përbashkët”.
Kjo vizitë e Peach në Bruksel ndodh vetëm një ditë, pasi deputetja britanike, Alicia Kearns ka ngritur në Parlamentin Britanik, çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, organizim ky që po i kërkohet me ngulm Kosovës.
Kearns ka marrë edhe përgjigjen e qeverisë britanike të cilët janë shprehur se nuk duan krijimin e një enklave serbe përmes Asociacionit.
Ishte ministri për Evropën, Leon Docherty i cili dje në Parlamentin e Britanisë së Madhe, ka thënë se e ndan të njëjtin shqetësim me deputeten Kearns sa i përket Asociacionit.
Ai ka deklaruar se s’bëhet fjalë për krijimin e një enklave një-etnike në Kosovë.























