Thirrje për largimin nga politika e iluzioneve ndaj Kosovës |Video
BKT
Foto/ RTK
Lajme

Thirrje për largimin nga politika e iluzioneve ndaj Kosovës |Video

Anamari Repiq, RTK/Beograd

Një pjesë e publikut në Serbi ka një qëndrim tjetër për Kosovën, duke u bërë thirrje autoriteteve që të pranojnë planin evropian dhe të mbështesin integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

Profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnoviq, tha për RTK-në se Kosova dhe Serbia duhet të kishin vendosur marrëdhënie të ndërsjella në vitin 2008. Sot, tha ai, nuk duhen thirrje nga perëndimi që të vendosen marrëdhëniet, por kjo duhet të jetë diçka normale dhe një rrugë drejt paqes së qëndrueshme.

“Për mua do të ishte spektakulare nëse Aleksandar Vuçiq do të dilte së bashku me Vjosa Osmanin në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe do ta përcillte deri në foltoren ku do të mbajë fjalimin e saj për herë të parë si anëtare e OKB-së. Është diçka që do të fuste një frymë krejtësisht të re në njerëzit tanë dhe do të dilnim nga errësira në të cilën jetojmë prej 30 vitesh, thotë Videnoviq.

Sipas profesorit serb, ky proces duhet te ndodh pas shume vite të marrëdhëniet e komplikuara. Ai thotë se një zgjidhje është e nevojshme edhe si borxh ndaj Kosovës dhe duke i rezistuar Rusisë për të mbajtur një konflikt të ngrirë në këtë rajon.

“Tani kemi mundësinë të vendosim marrëdhënie me fqinjët tanë shqiptarë, që do të na detyrojnë, ne dhe ata, të jemi njerëz ndaj njëri-tjetrit. Pra ky është borxhi ynë ndaj Kosovës. Nuk duhet te ndodh kjo si kërkesë apo kusht i Perëndimit, por si një normalitet i munguar prej shume vitesh”, tha Videnoviq.

Pikërisht kërkesa ndaj Serbisë që të mos kundërshtojë hyrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare, është pika boshte e propozimit evropian.

Një grup i personaliteteve publike në Serbi, si historianë, shkrimtarë, gazetarë dhe politikanë, kanë paralajmëruar nënshkrimin e një “Apeli” përmes së cilit duan t'i inkurajojnë autoritetet që ta pranojnë propozimin e BE-së për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një nga iniciatorët e Apelit, kryetari i Forumit Demokratik Qytetar, Zoran Vulletiq, tha për RTK-në se Serbia nuk ka ku të shkojë kur bëhet fjalë për Kosovën.

“Serbia dhe Kosova më herët janë pajtuar se nuk do ta pengojë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së, në Marrëveshjen e Brukselit, dhe kjo i thotë të gjitha. Kryesorja për planin evropian është se nëse e nënshkruan, Serbia nuk do të lejohet ta pengojë hyrjen e Kosovës në OKB. Serbia tashmë e ka nënshkruar një here këtë, dhe nuk e shoh pse të mos e bëjë për herë të dytë”, thotë Vulletiq.

Sipas Vulletiq, fakti qe plani i BE-së, është edhe i vendeve që nuk e njohin Kosovën, por edhe plani që e kanë mbështetur edhe SHBA, është një mesazh shumë i qartë dhe palët duhet ta kuptojnë shumë mirë këtë fakt. Sipas tij, qytetarëve të Serbisë duhet shpjeguar se nuk ka asnjë alternativë cilësore për këtë plan.

“Ky plan duhet komunikuar me qytetarët dhe publikun në mënyrë që të implementohet. Serbia është në prag të pranimit te planit, dhe për këtë arsye ne duam t'i ofrojmë këtë Apel publikut për të bërë presion mbi politikën që plani të pranohet”, thekson Vulletiq.

Sipas iniciatorëve të Apelit, Serbia është në udhëkryq, të bëhet pjesë e demokracive perëndimore dhe të fitojë ose të vazhdojë të jetojë në një iluzion për Kosovën. “Ne u bëjmë thirrje që të zgjedhin Serbinë në Perëndim”, thonë ata.

Ky inkurajim për autoritetet që ta pranojnë planin e BE-se për Kosovë vjen para seancës së Kuvendit të Serbisë për Kosovën, e caktuar më 2 shkurt, ku presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do t'u përgjigjet pyetjeve të deputetëve në lidhje me negociatat me Kosovën.


MË SHUME NGA Lajme