Vitia dhe Aliu flasin spitalin në Ferizaj dhe ndërtimin e QKMF-së
Fadil Sertolli / RTKlive
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu gjatë një takimi të përbashkët kanë biseduar për zgjerimin e kapaciteteve dhe shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Komunës së Ferizajt.
Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se spitali i Ferizajt dhe projekti për ndërtimin e QKMF-së, ishin dy temat kryesore, veçanërisht pasi që janë identifikuar probleme serioze në zbatimin e kontratës gjatë ndërtimit të spitalit të Ferizajt.
Të dy zyrtarët vlerësuan se nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë ndërinstitucional në rastin e ndjekjes së procedurave për ndërtimin e QKMF-së me qëllim të shmangies së pengesave në të ardhmen.
Me këtë rast ministri, Arben Vitia ka thënë se janë duke u ndërmarrë të gjitha masat që problemet teknike të eliminohen, ndërsa janë duke u ndjekur edhe hapat ligjorë ndaj përgjegjësve.
Ai tha se edhe vetë takimi me kryetarin Aliu ka për qëllim zgjidhjen e nyjeve që tutje të vazhdohet me kompletimin e dy projekteve jetike për qytetarët e Ferizajt.
Ministri Vitia deklaroi se do të angazhohet që qytetarëve të Komunës së Ferizajt t'ju ofrohen shërbime shëndetësore sa më cilësore në të ardhmen.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, falënderoi Ministrin Vitia për bashkëpunimin e shkëlqyer që nga koha e pandemisë dhe deri më tani.
Ai tha se ka qenë ajo periudhë që ka shpërfaqur problemet serioze të mantel-bardhëve për të ofruar shërbime sa më cilësore për qytetarët.
“ Dhe, janë dy projektet kryesore: Zgjidhja e problemeve të spitalit të Ferizajt dhe ndërtimi i QKMF-së. Veçanërisht pasi që regjioni i Ferizajt ofron shërbime për një numër të madh të popullatës dhe ka një shtim të lartë të popullsisë dhe se kjo duhet të reflektojë edhe me hapjen e vendeve të reja të punës në nivelin e shëndetësisë sekondare”, tha Aliu.
Më pas, ministri Vitia dhe kryetari Aliu së bashku vizituan edhe spitalin e Ferizajt dhe qendrat ku ofrohen shërbimet shëndetësore.























