Doktorët e pensionuar: Të na mundësohet me ligj kontributi në shëndetësi
BKT
Lajme

Doktorët e pensionuar: Të na mundësohet me ligj kontributi në shëndetësi

Besjana Mulaj|RTK

Katër klinika në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës rrezikojnë të degradohen në reparte në mungesë të mjekëve me titullin profesor. Ndaj kësaj mungese të stafit akademik, mjekët me titullin profesor, të pensionuar, thonë se në vendet evropiane të gjithë mjekëve profesorë që pensionohen u jepet e drejta që ta vazhdojnë punën në klinikat universitare dhe shprehin gatishmërinë që ta vazhdojnë angazhimin në institucionet publike.

Ka pesë vjet që doktoresha me titullin akademik profesor Sueda Latifi është pensionuar nga klinika gjinekologjike obstetrike e QKUK -së, por ajo vazhdon të punojë në institucionet private shëndetësore.

Përderisa përvojën e saj 40-vjeçare doktoresha Latifi dhe ish-kolegët e saj e bartin tek institucionet private, klinika e mjekimit Intensiv, Neonatologjisë, Emergjenca dhe kirurgjia maksilofaciale nuk i kanë të paktën nga dy mjekë me titullin profesor që sipas statutit të QKUK-së, në raste të tilla klinika duhet të degradohet në repart.

Por sipas ligjit të shëndetësisë mundësia e angazhimit edhe pas moshës 65 vjeçare nuk lejohet as në rastet e tilla.

Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve, thotë se Qendra Klinike Universitare është në krizë për mjekë me titull akademik, për më keq me shuarjen e klinikave, shuhen edhe katedrat dhe kështu klinika shkëputet me universitetin e mjekësisë.

Ndonëse i pyetur se si do të veprohet në ruajtjen e statutit klinik për rastet që nuk i kanë të paktën dy mjekë me titullin profesor, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka folur vetëm për strategjinë sektoriale të shëndetësisë e cila sipas tij pritet të përfundojë këtë vit.

Për këtë temë, për më shumë se një javë nuk janë përgjigjur Ministria e Arsimit, Rektorati dhe Universiteti i Mjekësisë dhe Qendra Klinike universitare e Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme