Kurti udhëton për Turqi, do të pritet në takim nga presidenti turk Erdogan
BKT
Foto arkiv/RTKlive
Lajme

Kurti udhëton për Turqi, do të pritet në takim nga presidenti turk Erdogan

Afet Bela/ RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot (e premte) në mëngjes ka udhëtuar për në Stamboll të Turqisë ku do të zhvillojë një vizitë pune njëditore.

Atje, kryeministri Kurti do të pritet në takim bilateral nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Pas takimit dhe darkës së punës, do të ketë një konferencë të përbashkët për media.

Bashkë me kryeministrin Kurti kanë udhëtuar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Erdogan në Stamboll pret në takim kryeministrin Kurti

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan, të premten do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës turke, kryeministri Kurti të premten me ftesë të presidentit Erdogan do të qëndrojë për një vizitë pune në Turqi.

Gjatë takimit që do të mbahet në Stamboll, do të shqyrtohen në aspekte të ndryshme marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe Kosovës dhe do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit pritet po ashtu të shkëmbehen mendime për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në Ballkan.


MË SHUME NGA Lajme